
Në këto vite demokraci klasa e vjetër politike nuk po arrin të kuptojë, qëllimisht apo jo, nevojën për qarkullim elitash, përvec pak emrave, aq pak sa nuk bëhen sa gishtat e njërës dorë. Gjithë të tjerët janë mjaftuar vetëm duke vështruar dhe duke u munduar thjesht të qendrojnë mbi ujë, pa ndjerë kurrë nevojën e një ndryshimi të thellë dhe sistematik. Nevoja për zëvendësim gjeneratash tashmë është e papërmbajtshme.
Do të doja që ‘të vjetrit” të kontribuonin në shpëtimin e gjeneratës së tyre nga katastrofa. E them me shumë dashuri e respekt për disa figura, por gjykimi likujdues i shumicës së popullit për ta është fakt. Në sytë e tyre ata janë të gjithë bashkë duke zjerë në një kazan, atë të corbës së prishur që po helmon ditë për ditë qytetarët duke i bërë të vjellin edhe mbi ato pak gjëra të mira që janë bërë në këto 30 vite.
Shpesh fati i historisë së një vendi varet nga sjellja dhe qendrimet e protagonistëve të politikës. Sa më arrogante dhe “e sëmurë” të jetë lidhja e këtyre të fundit me privilegjet apo të mirat materiale të pozicioneve, aq më të rrepta do të jenë kritikat. Brenda kësaj gjenerate të “të vjetërve” përgjatë viteve të tranzicionit ka nga ata që zgjodhën të mos shisnin shpirtin për të ndenjur në pozicionet komanduese të subjekteve politke apo të institucioneve. Ata zgjodhën që ta vazhdonin jetën e tyre publike përmes shkrimeve dhe qendrimeve mediatike. Janë pikërisht ata që sot flasin më qashtër dhe shkruajnë më freskët se gjithë të tjerët.
Kapja si grami pas bimës së pushtetit i humb asaj gjenerate atë më të rëndësishmen që ne presim prej saj. Pra, të na japin një interpretim të asaj cfarë ka ndodhur dhe me imagjinatën e eksperiencës të asaj cfarë mund të ndodhë.
Pa diskutim nuk jam për flakjen në kosh jo vetëm të eksperiencës, por dhe të energjive të dikujt që ka akoma cfarë të japë. Personalisht e di që diferencën mes njerëzve dhe forcave politike e bëjnë idetë dhe jo mosha, pooor ajo që mendoj se i duhet këtij vendi është absolutisht shkëputja nga e kaluara, e cila vjen vetëm nëpërmjet ndryshimit të gjeneratave. Kam bindjen se “të vjetrit” më të mirë do arrijnë të mbijetojnë në jetën politike publike, por më parë do të duhet ta rimeritojnë atë. Do të duhet që publiku ta ndjejë se ata do të punojnë në të mirë të tyre dhe jo të kopshtit personal. Fatkeqsisht arena politike e ka pasur të vështirë të prodhojë politikanë të këtij kalibri. Edhe më i trishtueshëm është fakti, që ky modeli i përbindshëm po iu serviret dhe po indoktrinon dhe brezin e aspirantëve.
Nuk pajtohem! Dënoj atë cfarë kjo maxhorancë po bën në këto vite drejtimi!
Nuk pajtohem as me atë shume cfarë po ndodh brenda subjektit të zemrës!.
Në 7 korrik unë do jem në shesh!
Jo si përkëdheluri i dikujt!
Jo si lobist i marrjes të së pamerituarës!
Jo si zengjin i ri që pas parave të dyshimta blen dhe postin politik
Jo si pinjoll komunistësh apo dhëndër socialistësh penetruar në kampin blu, por… si Njeri i Lirë! Ashtu si kam jetuar që prej 2 Prill 1991! /Nga Harris MURANA, publikuar në Facebook/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!