NGA HARRIS MURANA – Ndoshta është koha të falim, në mos të falim, të gëlltisim sa hoqëm në këto vite pseudodemokraci

Duhet një ndryshim gjithëpërfshirës! Duhet një shkundje politike! Ka një lloj mënyre të të konceptuarit të politikës në Shqipëri, e cila për sa më përket ka mbërritur limitet e saj në këto 30 e kusur vite. Kriteri bazë është demonizimi i konceptit të të bërit politikë. Duket sikur cdo gjë që vjen nga baza përputhet me një lloj lobizmi në favor të privilegjeve ‘të disave’, pra tek njerëzit gjithmonë e më shumë ka zënë vend perceptimi i politikës jo si art i kompromisit, por si kulisë e kapjes dhe e korrupsionit.

Si rrjedhojë vjen dhe demonizimi i kundërshtarit. Pra të qeverisësh nuk do të thotë më të kërkosh të ndërtosh të mirën e përbashkët ne dialektikën mes atij që është mundur dhe atij që ka fituar zgjedhjet, por vetëm të mundohesh të shkelësh kundërshtarin. Për më tepër duke përdorur dhe aleanca të tjera okulte psh ato me gjykatat apo organet e hetimit. Pas më shumë se 30 vitesh është koha të vendosim në peshore këto koncepte. Kriza e demokracisë tregon se reduktimi i politikës në mjet për qëllime personale na con drejt përplasjes së paevitueshme dhe humbjes së bashkëjetësës kombëtare në paqe.


Edhe pas zgjedhjeve ka qindra mijra persona qe urrehen mes tyre, nuk njohin legjitimitetin e pozicioneve të të tjerëve dhe nuk përpiqen të gjejnë mundësitë për të zgjidhur nevojat e tyre. Kjo ndoshta vjen dhe si derivat i sëmundjes së vjetër nga e cila lëngon shoqëria jonë ‘prekja e votës’ dhe këtu nuk flas vetëm për votat që cojnë në formimin e ekzekutivit por edhe votat brenda një subjekti politik. Dhe kjo prekje e votës në këto përmasa pa diskutim që con drejt injorimit të interesave legjitime të të varfërve, bizneseve të vogla, të të pamuneve etj. Tragjikomedia e gjendjes ku jemi duket qarte kur shohim lider që shiten ‘të fortë’ ne fushatat elektorale dhe kur sipari bie na dalin nje HIÇ në qeverisje. Nuk ka sesi të mirëqeverisësh kur njerëz pa ideale ndryshojnë shpesh opinione dhe lëvizin sipas interesave që janë tërësisht personale. Ska programe afatgjata për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik. Dhe e gjitha kjo sepse zgjedhjet e bëra nuk janë të vendosura mbi bindje solide, kësisoj do ishin të hapura ndaj kompromisit dhe kontributit të të gjithëve, dhe të atyre që e mendojnë ndryshe por në mënyrë konstruktive.

Ka nevojë nga të gjithë për një autokritikë të sinqertë, për ‘prekjet e zgjedhjeve’ në këto 30 vite demokraci. Duhet rigjetur, rishpikur, rithemeluar DEMOKRACIA. Demokracia ku pjesëmarrja në jetën publike të mos jetë e lidhur vetëm me votën, por dhe me krijimin e një shoqërie të organizuar nëpërmjet grupeve të mendimit ndryshe.

Pra, në mbyllje sa me përket e për sa mendoj ndoshta është koha të falim (në mos të falim, të gëlltisim) sa hoqëm në këto vite të pseudodemokracisë. Por mos të falim dhe të mbrojmë me gjoks gjithcka është thelbi i demokracisë nga sot e në vazhdim. /Nga Harris MURANA, publikuar në Facebook/