NGA HARRIS MURANA – Koha nuk pret, rreshtni së klithuri “Parti! Enver!”, dhe sot është vonë…!

A ndodhet opozita thjesht brenda një amullie të momentit apo ka mbërritur pikën e moskthimit?! Përtej ‘meritave’, gabimeve apo fajeve të ekzekutivit në thelb ndarja e opozitës shqiptare kërkon përgjigje. Është thyerja mes disave që duan ti lenë gjërat siç janë dhe ca të tjerëve që ndjejnë se gjërat duhet të ndryshojnë. Tashmë është mjaft e dukshme dhe e qartë që një pjesë e mirë e individëve aktivë të politikës aktuale, përtej kampeve ku janë vendosur janë pro sistemit të mikrointeresave të lidhura ngushtësisht me qeverisjen.

Kjo çon në mënyrë të pashmangshme drejt ndarjes së thellë me elektoratin. Klasa politike këtë ndarje mundohet herë pas here ta arrnojë me ndonjë ‘fytyrë të re’ që tërheq, me ca fjalë marketingu partiak, ndoshta edhe me ndonjë pagesë të turpshme listash me borxhe. Ky lloj reagimi na konfirmon mjerimin e demokracisë dhe degradimin e kësaj kaste.


Një hulumtim i thjeshtë: në çdo 10 persona me të cilët gjerbim kafe gjatë ditës, 8 shprehen se nuk dinë më se për kë të votojnë. Kur subjektet partiake i largohen bazës dhe terrenit dhe veprimtarinë e tyre e kanalizojnë vetëm nëpërmjet komunikimeve mediatike, tregon se kemi një politikë vetëm të imazheve dhe një demokraci pa bërthame. Qytetarët tashmë trajtohen si një mjet për të mbërritur qëllimin dhe më pas janë inekzistent.

Thënë sa më sipër, padyshim nuk dua ti heq rëndësinë komunikimit mediatik, por sa më përket kjo vlen kur i drejtohesh publikut të gjerë me diçka konkrete për t’i propozuar. Mesa shihet establishmenti i 30 viteve politikë po kërkon vetëm të shpluhuroset pak dhe asgjë më tepër. Nëse do të jetë kështu, degradimi ekonomik dhe politik i Shqipërisë do të thellohet.

Përtej këtij ‘uji të ndenjur’, megjithëse pak, ka një numër politikanësh të kthjellët që kanë kuptuar se asgjë nuk mund të vazhdojë si më parë, vërtet që zgjedhësit janë ata që vendosin, sepse kështu e thotë demokracia, por ata duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre në kushte rrënjësisht të reja. Ky mund të jetë një opinion në minorancë në rrethin politik, por në përceptimin tim është maxhorancë në opinionin publik të këtij vendi. Ka një ndërgjegjësim, që nuk është më e mjaftueshme ribojatisja e sistemit partiak, prandaj duhet të ndahemi nga ky qerthull vicioz.

Politika e imazhit, politika e ofendimeve nëpër ekrane dhe e duarshtërngimeve në errësirë ndoshta mund të dehë ca trushpëlarë, por sigurisht nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të popullit shqiptar. Politika duhet të braktisë përfundimisht provincializmin e vet, përtej ‘delireve sovraniste’, duhet të bëhemi të vetëdijshëm që po presim të na hapen dyert e Europës, kështu që kapacitetet e vendit për të zgjidhur problemet e tij kanë lidhje të ngushta me mendimin dhe politikat e bashkimit europian. Duhet pra të krijohet një formacion solid dhe i panjollë i qendrës së djathtë, i cili të pritet krahëhapur në mes të familjes së vet europiane.

Është e frikshme të mendosh se je i padëshiruar nga ata të cilëve aspirojmë t’u bashkohehemi, pavarësisht shprehjeve shabllon ‘nuk votojnë europianët apo amerikanët në shqipëri’

Rreshtni së klithuri ‘Parti! Enver!’ dhe duajini fëmijët dhe të ardhmen e tyre më shumë së gjithcka. Koha nuk pret dhe sot është vonë. /Nga Harris MURANA, publikuar në Facebook/