NGA FRANO KULLI – Vatikani partner strategjik…po atje s’ kemi as ambasador…?!

Më grishi fjala e paradoditëve në Kuvendin e Shqipërisë e nënkryetarit të tij, Agron Gjekmarkaj. Gjë që jo shpesh ndodh me fjalën, sidomos në atë aulë, e cila do duhej të ishte vetë tempulli i fjalës. Më pëlqeu fort ai kumti yt në parlament, i dashur Agron; gjithë ajo çfarë rendite e the, mbas vizitës Suaj në Vatikan dhe për pritjen nga Ati i Shejtë, Papa Françesku të ju, dy udhëheqësive parakë të Kuvendit të Shqipërisë; kryetares, zonja Nikolla dhe ju.

Mua e shumë të tjerëve si unë, si ti, si krejt rrethi yt e i imi e i njerëzve që i takojmë këtij besimi e vokacioni për më tepër, e që përbëjmë rreth 13% të kësaj popullatës së këtushme (sipas censusit zyrtar shtetror të para do viteve) na ngazëllen dërgata juaj specifikisht. Sikundërse është e konsiderueshme dhe e mirëpritur cilado vizitë e përfaqësive të shqiptarëve atje, për të cilët, pa dallim “dielli lind andej nga perëndon”.


Edhe rezymeja jote e historisë së mardhënieve të Vatikanit me Shqipërinë , e shtjelluar mbarë e mbarë, në plotpërputhje me të vërtetën historike, edhe pse e njohur, është një theks në nevojë për t’u thënë e përsëritë shpesh e shpesh, gjithashtu. Kurse kërkesa e thirrja jote drejtuar atij Kuvendi dhe Qeverisë shqiptare që ta shpallë Vatikanin “Partner strategjik si detyrim ndaj shekujve e si nevojë e jona për shekujt që na presin” e mirëpritur dhe në sinkron me ndjesitë e përherëshme të shqiptarëve.

Mirë e bukur, sa s’ka e ke thanë.

Po ti a e beson se do të konsiderohet kjo kërkesë e jotja, i dashur Agron ? A beson ti se servilizmi ksenofob që nderet në atë sallë si një pecë e rreckë e hollueme prej përdorimit të tepërt e lejon të konsiderohet ky kumti e thirrja jote pa marrë bekimin në anët e tjera të horizontit ; nga lindja kryesisht a nga perëndimi qoftë ? Andej nga të fryjë era ma e fortë që i tund e i shkund qeniet pa shtyllë kurrizore, që janë në shumicë në atë aulë ? E në krejt establishmentin politik të ne shqiptarëve këtu ?

E pabesueshme se kjo mund të ndodhë !

Ati i Shenjtë, siç ju e theksoni si kumtin më të freskët në rezymenë tuaj, e pati zgjedhë Shqipërinë për vizitën e parë në Europë fill mbas shugurimit të tij. Nderim i pashembullt i tij për ne shqiptarët. Në vijim të nderimit e përkrahjes së përherëshme që ne shqiptarëve na është ofruar prej Selisë së Shejtë.

Papa Françesku erdhi këtu në 2014. Dhe solli kumtin se Kisha Universale Katolike kishte shpallë të Lumë 38 Martirë të besimit e të fesë në Shqipëri. Po prej asaj kohe më saktë, prej gushtit të 2013, kur kthyen prej andej, të ndjerin Rrok Logu, ne nuk kemi mundur të dërgojmë një…Ambasador tek Ai në Vatikan.

Ndërsa, prej dy vjetësh, pjesë e diplomacisë së atij shteti është edhe një shqiptar. Artur Kola, një prift i ri dioqezan nga Zadrima e Lezhës emëruar nga Kreu i Kishës Katolike, në trupën diplomatike të Vatikanit. Është i dyti, qysh prej se ka qenë në atë shërbim në fundin e shekullit XIX dhe në agun e shekullit XX, shqiptari i madh Abat Prend Doçi.

Selia e Shenjtë mban marrëdhënie diplomatike me 170 shtete dhe merr pjesë në 43 organizata të ndryshme botërore me statusin e anëtarit ose të vëzhguesit të përhershëm. Dom Arturi është diplomat efektiv në diplomacinë e Selisë së Shenjtë si përfaqësues i saj në njërën nga përfaqësitë e shumta të akredituara nëpër botë. Në Bregun e Fildishtë në Afrikën perëndimore.

Në marrëdhëniet me Shqipërinë, veçmas pas pavarësisë nga 1912-a e këndej kur formësohet edhe shteti i parë shqiptar, Selia e Shenjtë ka qenë kurdoherë dashamirëse e në krah të saj. Mjafton të ndërlidhësh vetëm disa pika të historisë së kësaj marrëdhënieje për ta mbështetur me fakte pohimin e mësipërm.

Me fuqi shpëtuese, përtej se shpirtërore ka qenë mbështetja diplomatike e Papës Benedikti XV në vitin 1919, kur një përfaqësi e Misëve (delegatëve) në Konferencën e Paqes në Paris, kryesuar nga Imzot Luigj Bumçi i paraqet kërkesën për ta akorduar ndikimin e vet moral te Fuqitë e Mëdha që të shpëtoheshin dy qytete shqiptare, Korça e Gjirokastra nga aneksimi grek, si dhe Vlora nga ai italian. Dhe ashtu ndodhi, falë asaj mbështetjeje të drejtë e të përzemërt, trupi i copëtuar i Shqipërisë nuk u përpjesëtua edhe më tepër ndër lakmitë shovene të fqinjëve.

Më 26 nëntor 1994, nja një vit e gjysmë mbasi kishte puthur, i ulur në gjunjë, tokën e shqiptarëve të martirizuar, Papa Gjon Pali i dytë-Shenjt, ndër tridhjetë Kardinalët e rinj njërin e zgjedh nga Shqipëria. Dom Mikel Koliqi bëhet i pari kardinal shqiptar në historinë e Katolicizmit shqiptar. I burgosur e syrgjynosur për 38 vjet, prelat i përvuajtur i klerit katolik, kontributor i shënjuar i çështjes kombëtare të shqiptarëve, në sinkron me intelektualët e shquar iluministë e atdhetarë.

Në vitin 1984 , në një vizitë baritore në Barin e Italisë, Gjon Pali i dytë-Papë,ndër të tjera pati thënë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar po ashtu kah vëllezërit dhe motrat e Shqipërisë, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut. Ndërsa ju porosis të luteni për ta, dëshiroj t’ju them se ata janë posaçërisht të pranishëm në zemrën time…”. Kjo ndodhte asohere, kur tashmë perëndimi e kishte lënë Shqipërinë e shqiptarët në mjerimin e vet, nën regjimin shtypës e mizor të diktatorit Hoxha.

Kurse më 21 shtator 2014, Papa Françesku i sapozgjedhur në krye të Kishës, vizitën e parë në Europë e bën në Shqipërinë tonë. “Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”, pati deklaruar Papa, kur i dha botës kumtin e vizitës së tij të shënuar.

…Dashuri, respekte dhe përkrahje për popullin tonë nga Selia e shenjtë ka pasë përgjatë historisë. Sidomos në ditët e trishta të vuajtjes sonë. Kurse reagimi ynë, vetëm në kufijtë e propagandës e agjitimit ka qenë, thuajse gjithherë, vetëm sa për fasadë e mjaft më pak mirënjohës e falënderues.

Ka pasë, për hir të së vërtetës në fillimet e pasdiktaturës një akt për t’u shënuar. Willy Kamsi, ka qenë një përfaqësim yni me të vërtetë i denjë, me një qytetari e kulturë oksidentale të shkallës sipërore… Porse, ja, po bëhen nja 9 vjet që ky shteti ynë e diplomacia e tij zhele e ka lënë përfaqësinë tonë në Selinë e Shenjtë pa ambasador. Si pingpong qokash. Ndërmjet udhëheqësish, kryeministra e ish kryeministra, që sillen për gishti prej një mjeti propagande e trushpërlarjeje. E prej interesave të padronit të tij.

Po, po e vërteta është kjo, e vërtetë e cila ka mënjanuar edhe përfaqësues shumë dinjitozë, siç mund të ishin Ardian Ndreca e Visar Zhiti. /Nga Frano KULLI/