NGA FATJON GJINAJ – Shqipëria! Drejt kriminalizimit shoqëror, përgjegjësit po kërkojnë President…

4 qytetar të këtij vendi humbën jetën përgjatë ditës së enjte nëpër rrugët e vendit nga aksidentet. Dhjetra njoftime policie kanë ardhur nga të gjitha rrethet për arrestime në lidhje me vepra të ndryshme penale, duke nisur me shoferin e asaj taksisë që ishte nisur për të dërguar në aeroport një familje, por i çoi drejt tragjedisë, ku humbi jetën një zonjë, e ai duhet të dalë para Gjykatës për të dhënë llogari, vijuar me operacione ndaj personave që falsifikonin dokumente, për rrahje me grushta e leva, fshehje krimi, goditje për shkak të detyrës, ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri, plagosje e rëndë me dashje, e deri tek mega “Plumbi i artë”, të personave që kanë terrorizuar vendin, kanë prerë në mes jetë njerëzish dhe ëndërra qytetarësh që punojnë e luftojnë çdo ditë ndershmërisht në këtë vend, duke dhënë edhe kontribute, që të jetë i denjë për të jetuar, i qetë dhe i sigurt.

Gazetarët e dinë shumë mirë për çfarë po flas nëse kërkojnë një reminishencë afatmesme të të gjitha njoftimeve që iu kanë ardhur gjatë të Enjtes në celularin e tyre në rrugë zyrtare por edhe jo zyrtare rreth këtyre rasteve që përmenda më sipër. Më një mik, që mund të jetë duke i lexuar këto radhë, po flisnim rreth këtij shqetësimi, pra pse po kriminalizohet kaq në masë ky vend, teksa i rrëfeva për një artikull që shkruante për liderin hungarez i cili para disa kohësh i ishte drejtuar rinisë së kombit të tij, për çështjen e sovranitetit. Ai thoshte se një rini sovrane, është ajo që arsimohet dhe vendi i garanton punë pas kësaj faze, por ndërkohë nuk ka nevojë të luftojë për një shtëpi dhe kushte minimale jetese, sepse këtë duhet t’ia garantojnë një sërë aktorësh dhe faktorësh që japin kontribute shoqërore, por të luftojë për karrierë dhe faza afatagjata, dhe në çdo hap të tij të prevalojë bindja se vendi i tij është ai që duhet të jetojë. “Shoqëria jo sovraniste është ajo ku motrat tuaja shkojnë dhe punojnë si prostituta në vendet e Bashkimit Europian, e vëllezërit tuaj si narkotrafikantë, vrasës dhe persona të botës së krimit”, thoshte në vija të përgjithshme Orban. “Hungaria nuk duhet të rrisë breza të tillë”, vijonte ai.


Biseda jonë u zhvendos në çështje konkrete, që kanë të bëjnë me sistemet, të tilla si ai politik, i drejtësisë, arsimor, kulturalist… Teksa hyje në rrethe të tilla ciklonesh, mendja të vente të bëje një krahasim, mes sovranistëve dhe atyre që bëjnë politikë me letër e laps në duar, ku populli është numër dhe çështja primare e ditës është ajo që të nxjerr matematikisht të fituar në bilancin politik të numrave dhe jo ideve, jo zhvillimit, jo emancipimit dhe integrimit, jo interesave të larta të atyre që përfaqëson. Pastaj në vend të shkollave ndërtojmë komisariate e gjykata, ndërtojmë burgje në vend të kinemave, teatrove, qendrave kulturore. Ndërtojmë sundues në vend të udhëheqësve dhe liderave, ndërtojmë dabate dhe konflikt, në vend të dialogut dhe konsensusit. Të tillë si, në vend që të analizojmë këto bilance skëterrë të realitetit, flasim për President. Kemi luksin të flasim edhe për këtë çështje, që në fund të ditës, si për çdo gjë tjetër “e dinë vetë ata dhe po ata vendosin”.

Ps.na falni për shqetësimin dhe natën e mirë! /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar/