NGA FATJON GJINAJ – Dy fjalë para se të tregojmë me gisht nga policia, siç bëjmë shpesh me të drejtë, e jo rrallë edhe pa të drejtë!

25 ditë pas ngjarjes në Komisariatin Nr.5, ku si pasojë e flakëve në dhomat e paraburgimit, humbi jetën A.Mici dhe u lënduan i paraburgosuri tjetër D. Idrizi dhe efektivi i policisë Hajredin Boja (personi në foto), ky i fundit ndodhet ende në spital. Gjendje shëndetësore e efektivit ende paraqitet e rëndë ndërsa po mbahet nën trajtim mjekësor nga mjekët e repartit të djegieve plastike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ai ka pësuar djegie të konsiderueshme nga flakët që pushtuan qelinë e paraburgimit në katin e nëndheshëm të Komisariatit nr 5. Pas dy fatkeqësive në familje në një hark të shkurtër kohor, vdekjes së bashkëshortes dhe një përjetimi jo të këndshëm (personal) të djalit të tij, Boja u përball me një tjetër të papritur teksa ndodhej në krye të detyrës.


Ai dhe viktima, A. Mici, ishin nga e njëjta zonë, dhe shpesh efektivi me moshë të shtyrë (për funksionin), ndante edhe ushqimin që merrte nga shtëpia me të paraburgosurin, pasi rrallë ky i fundit vizitohej nga familja, për më tepër ti sillnin ushqime. Në momentin e rënies së zjarrit, dëshmitarë të ngjarjes thonë se Boja nuk ka pranuar të dalë nga qelia ku ndodhej Mici pa nxjerrë këtë të fundit, ndërsa e ka patur të pamundur, kjo pasi përveç tymit të dendur, kanë qenë edhe përmasat e mëdha fizike të të arrestuarit që humbi jetën.

Hajredin Boja, u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg” në spital, në një gjendje shëndetësore ku nuk kishte as mundësi fizike të rrëfente ngjarjen apo justifikonte pretendimet e ngritura ndaj tij nga organi i akuzës. Prej 25 ditësh ai ndodhet nën një masë të tillë sigurie, për mosplotësim të procedurave në qelitë e paraburgimit, pavarësisht se ende duart e tij nuk i kanë prekur prangat për shkak të gjendjes shëndetësore.

Për Komisariatin Nr. 5 në Kamëz, janë nxjerrë shpesh raporte nga institucione dhe organizata jo qeveritare, për kushtet e vështira në logjistikë dhe ambientet e paraburgimit. Një tjetër fakt shqetësues është se trupa e shërbimit në këtë stacion të rëndësishëm policor në kryeqytet ka një mesatare në moshë, mjaft të madhe. Referuar të dhënave, mosha mesatare e punonjësve të policisë është rreth 50 vjeç, një pjesë e mirë e tyre “mos ti heqim po hajt ti rrasim në Kamëz”.

Hajredin Boja është një person nën hetim, dhe kjo na kufizon të dalim në përfundime, ama nuk rrihet pa thënë, se të paktën nga dinamika e asaj ngjarje dhe siç na rrëfehet, po të mos ishte për të bërë dikë kurban “se ka gazetarë”, mund të ishte hero! Nëse këto ngjarje kërkojnë kapital për të plotësuar hapësirën boshe tek paragrafi që kërkon përgjegjës në procesverbal, më arrestoni edhe mua, por larg qoftë, mos iu hyni në hak njerëzve. /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar/