NGA FATJON GJINAJ – A kishte zënë Boiken Lako ndonjë deng bari dje në Kongres…???

Prej disa javësh më bënte përshtypje Boiken Lako, ashtu i veshur si zakonisht me një stil të veçantë prej rokeri, teksa hynte dhe dilte nga godina e Shërbimit të Provës në Tiranë. Një Boiken brilant, i talentuar, unik në stilin e tij, e në mënyrë të përmbledhur, një artist i madh, më çudiste se si kalonte në heshtje, ashtu me buzën qeshur ndonjëherë kur tërhiqte vëmendjen e njerëzve që e shikonin, ikte pa fjalë e zhurmë në punën e tij. Në Shqipërinë e artistëve “Investitor Strategjik” ndonëse deri dje s’të shkonte mendja se Boiken ishte i tillë, as s’të shkonte jo se jo mendja se Boiken mund të kishte hesape me drejtësinë, më e mundshme të dukej e para, ndërsa po aq fatkeqësisht sa të ishte një “Investitor Strategjik”, ishte të merrje vesh se prej një muaj, Boiken Lako ishte dënuar me 3 vite burg, ku për shkak të Nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale (gjykimit të shkurtuar), i kishin zbritur 1/3 e dënimit, dhe në aplikim të nenit të famshëm 59, rokeri përfitonte ndëshkim më të butë, 3 vite shërbim prove, me kushtin të mos kryente më asnjë vepër penale.

Zgurdullova sytë në atë vendim gjykate të mirëkopsitur prej 7-8 faqesh, dhe do duhej të mendoje se ishte i mirëporositur për të qenë i tillë. Shqipëria e bukur, shëmtohet çdo ditë kur Boikenit i mbyllen dritaret e përhapjes së magjisë së artit përmes tyre, dhe triumfon humori i oborreve të qeverisë, për t’u shpallur më pas në “Investitor Strategjik”, që del pas ca ditësh e tregon me krenari arritjen e madhe të “oh ç’të futuri biznesi që i kam bërë, me paratë e kursyera të ilaçeve që ia lash pa blerë babait”. Unë e kam parë Boiken Lakon, natyrisht përmes ekraneve televizive, që ngre kartonin për të përzgjedhur talente në kompeticione muzikore dhe artistike, jo të votojë në Këshilla Bashkiakë tendera e koncesione, ndërtime kullash e korsi betonjeresh. Ajo drejtësi dhe kjo pakicë shoqërore që dominon me hesapet e veta besëprera, po e bën Shqipërinë të pajetueshme, po vrasin idhujt dhe shembujt e rinisë, frymëzimin e pasionet e tyre, ëndrrat e talenteve dhe gjenive.


Teksa eci rrugëve të këtij vendi, herë në këmbë e herë me transport publik (se ku na del llogaria për naftën e monopolit), shikoj vetura të shtrenjta të rinjsh që i drejtojnë, kush ka ardhur nga UK mer bab, e kush nga paraja e babës drejtor, shef, biznesmen… teksa të rinjtë e këtij vendi, ata të zakonshmit që ndjekin hobet dhe pasionet, me as dy grosh në xhep, i shohin përditë, pyesin veten se ku dreqin mbijnë këta përbindësha që nuk iu tha njeri kurrë “A u lodhe”?! Ja, kështu bie dhe shembet një shoqëri, nga shembujt, nga mësimet e pësimet, nga disfata, e sidomos nga vrasja e atyre pak idhujve që të rinjtë kanë në këtë vend, idhuj që nuk kënaqin me humor oborret qeveritare, që nuk janë eskorta të çunave të “Eksopoleve” në “Bllok”, a Rrahmanëve në Fushë-Krujë, që nuk tundin bollëqet plastike gjithë natën moteleve që të nesërmen të na dalin modele, apo videoklipeve në Dubai, Bora-Bora e San Marino. Atyre të rinjve që nuk i kanë sytë tek sasia që kapet në Portin e Durrësit, ngarkesa në Guayaquil, përplasja e bandave në Torino, apo një nga tanët të ekzekutuar në Belgjikë.

Ju vrisni Boiken, shtypeni Aleksandër Gjokën se bëhet derr me raki, opo Elsa Lilën vareni në pemën e titujve të portaleve e mediave kombëtare, merreni Mehdi Malkon vareni për ko*esh tek rrënojat e Teatrit Kombëtar, Robert Ndrenikën lëreni të vdesë si të pafatin Gjok Becin, pa ia kthyer kurrë borxhin e ushqimit të shpirtit kombëtar me art, ama mos hiqni dorë kurrë nga “Investitorët Strategjik”, këngëtarët e partisë, aktorët e partisë, velinat e partisë, dashnoret e partisë”.

Po me kë do të rrojë ky vend e këta njerëz? Me cilët shembuj do të ngrihet ky komb? Kush do ti udhëheq shpirtërisht e psikologjikisht t’i ushqejë? Kush do të jenë korifenjtë e kohës së tyre sot, që nesër ata binjtë tanë në lindshin këtu të thonë se edhe koha e etërve tanë la ‘filanin* e ‘fistekun’?

– Me ata artistë që marrin rroga në Bashki? Me ata që këndojnë e aktrojnë nëpër fushatat tuaja elektorale? Po kjo është fyerje, po ky është degjenerim, po kjo është poshtërsi. Po s’keni faj, derisa vijnë ata zotërinjtë e zonjat e nerume dhe ulen nëpër deng-denget me barë në mes të Tiranës, ju dëgjojnë me kërshëri, i fusin i teke me deputetin e zonës në “Bllok” e kthehen duke gremisur nëpër fatin e zi skëterrë të tyre, përjashtuar ndonjërin që ka bërë maksimumin t’i bie në sy dikujt gjithë kohën, për ta patur në vëmendje ta punësojë shef i Ujësjellësit në Urën Vajgurore. Kështu do të shkojë kjo punë, përderisa Boikenit i mbyllen dritaret dhe Gazit do t’i shkojë çmimi në stratosferë, ku s’do flitet më për “Investitor Strategjik” por për oligark humori. Ah, meqë ra fjala, Boiken nuk ishte dje në Kongres! /Publikuar në Facebook nga Fatjon GJINAJ, gazetar/