NGA ERVIS KRYMBI – Politikat dhe roli i universiteteve në shoqërinë e sotme…

Në kontekstin e sotëm, roli i universiteteve duhet të jetë gjithnjë e më në rritje për vetë sfidat e kohës. Universitetet janë qendra të edukimit, të përgatitjes profesionale për brezat si dhe të kërkimit shkencor.

Normalisht si sfidë kryesore eshte ngritja e cilësisë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të rritet roli dhe fuqia e universiteteve që për rezultat do të ketë ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

Po ashtu një element i rëndësishëm është orientimi strategjik i arsimit të lartë drejt nevojave të tregut të punës aktual. Përshtatja me tregun e punës sidomos me kërkesat e reja për kualifikim është një detyrë e rëndësishme dhe imediate.

Një nga misionet e arsimit të lartë është integrimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor. Përveç rolit si krijues dhe rregullator i institucioneve të arsimit të lartë, shteti ka gjithashtu detyrimin ligjor për të financuar kërkimin shkencor, pikë kjo mjaft e diskutueshme ku përpjekjet kanë mbetur në letër ose kuadër draft strategjish.

Për të lehtësuar ridimensionimin e suksesshëm të universiteteve në kuadër të ekonomisë së dijes është e nevojshme zhvillimi i kapaciteteve njerëzore. Për këtë arsye duhet mbështetja financiare e punonjësve dhe kërkuesve të rinj, e cila kërkon vëmendje të veçantë, pasi siguron përmirësimin e prurjes së eksperteve të kualifikuar si për procesin e kërkimit shkencor ashtu edhe në modernizimin e procesit të mësimdhënies me teknikat e reja. Stimulimi i kërkimit shkencor me fonde për botime artikujsh në revista me faktor impakti, konferenca apo kërkime të thelluara duhet të jetë një nga prioritet ku duhet të derivohen këto fonde.

Rritja e flukseve të të ardhurave të universiteteve nuk duhet te nënkuptoje thjesht grumbullimin e taksave të shkollës, siç ka ndodhur zakonisht gjithë këto vite. Universitetet duhet të dëshmojnë vlerën e shtuar që ato mund t’i ofrojnë sektorit privat, si dhe shoqërisë në përgjithësi, duke i bërë rezultatet e kërkimit të arritshme, duke siguruar transferimin e teknologjisë, si dhe duke ofruar një larmi shërbimesh konsulence, në bashkëpunim me pushtetin lokal e më gjerë.

ShkodraWeb Channel

Të gjitha këto veprimtari mund të ofrohen në këmbim të tarifave, në bazë të shpenzimeve të transportit dhe të një politike të qartë të çmimeve. Të gjitha këto veprimtari duhet të drejtohen me profesionalizëm, d.m.th., nëpërmjet njësive qendrore të specializuara të universitetit, siç janë qendrat kërkimore dhe të transferimit të teknologjisë. Nëse këto njësi e tregojnë se janë të dobishme për veprimtaritë e një fakulteti të caktuar dhe për nivelin e departamentit, ato do të arrijnë të vërtetojnë pse shpenzimet e përgjithshme janë të dobishme për njësitë e decentralizuara të universitetit dhe, në këtë mënyrë, bëhen katalizatorë për integrimin e tyre.

Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është një pikë mjaft e rëndësishme pasi rrit komunikimin e ideve dhe shkëmbimin e stafeve apo studentëve. Një pikë e rëndësishme në këtë drejtim do të ishte krijimi i qendrave rajonale studimore, veçanërisht për kërkime shkencore dhe arsimimin universitar, të cilat specializohen në disiplina të ndryshme, e njëherezari krijojnë profile të qarta për të nxitur lëvizjen e studentëve dhe punonjësve shkencorë.

Orientimi i kërkimit në shkollat doktorale sipas kërkesave dhe prioriteteve të zhvillimit të vendit apo të rajoneve të veçanta. Ky proces nuk duhet të mbetet i izoluar nga dinamikat e tjera të arsimit të lartë në Shqipëri, përkundrazi të gjitha këto procese janë të ndërlidhura dhe kërkojnë një reformë rrënjësore të arsimit të lartë.

Invenstimi gjithnjë më i madh duhet në bibliotekat universitare, sidomos në pasurimin me tekste apo botime të reja të disiplinave te ndryshme. Po ashtu aplikimi i bibliotekave digjitale është i një rëndësie specifike. Bibliotekat digjitale janë një organizim virtual i mundshëm që mbledh në shkallë të gjerë kerkues e studentë, pasi menaxhojnë dhe ruajnë në afat të gjatë përmbajtjen e pasur digjitale, duke u ofruar përdoruesve të saj funksione të veçanta për atë përmbajtje, të një cilësie të matshme. /Publikuar në Facebook nga Ervis KRYMBI, pedagog/

ShkodraWeb Channel

Open

Close