Planifikimi i territorit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit mjedisor. Planifikimi nënkupton “identifikimin e nevojave dhe mënyrat e vlerësimit të tyre”.
Menaxhimi mjedisor zbaton procesin e planifikimit të mbrojtjes mjedisore dhe zgjidhjes së problemeve. Planifikimi dhe menaxhimi mjedisor mund të jetë “reagues”, “monitorues” ose “integrues”. Masat reaguese përpiqen të korrigjojnë dëmtimet paraprake mjedisore; Masat monitoruese ndërmerren për të përmirësuar cilësinë mjedisore, për shembull: kontrolli i përdorimit të tokës, ruajtja e tokave nën ujë.
Zhvillimet e një tranzicioni pa fund në territor, kanë prekur edhe qytetin e Shkodrës. Kjo gjë është shoqëruar me rritjen e ndotjes në mjediset ujore.
Të gjitha ujërat që përdoren kanë ndikimet e tyre në cilësinë e mjedisit ujor, pasi përdorimi i tyre për qëllime humane përfshin në vetvete aktivitetin njerëzor mbi këta trupa ujorë dhe ndryshon vetitë e tyre natyrore. Shkarkimi i mbetjeve të lëngta urbane, bujqësore pa asnjë lloj trajtimi paraprak janë burimi kryesor i ndotjes së ujërave sipërfaqësore në qytetin e Shkodrës.
Shkarkimi i tyre në mënyrë progresive ka ndikuar në uljen e cilësisë së ujërave të lumenjve, liqenit dhe të mjedisit në përgjithësi. Veprimtaria e njeriut në brigjet e liqenit të Shkodrës, dhe gjatë brigjeve të lumit Buna, dhe në zonën e tyre ujëmbledhëse ka ndikuar në cilësinë e ujërave dhe biodiversitetin e ekosistemit ujor.
Ujërat nëntokësorë si pasuri natyrore kombëtare janë objekt shfrytëzimi i vazhdueshëm me intensitet në rritje dhe me risk të përhershëm ndotjeje nga veprimtaritë natyrore e humane.
Dinamizmi ekologjik i liqenit, që në periudha të ndryshme të vitit vendos kufirin midis tokës dhe ujit, është elementi që shërben për ti dhënë jetë një imazhi të ri me mjaft ndikime sociale pozitive. Regjimi hidrologjik i kompleksit hidrografik të Shkodrës është i lidhur ngushtë dhe përcaktohet nga ndikimi i kushteve klimatike.
Në disa hapësira periferike të qytetit në afërsi të liqenit të Shkodrës, kemi sektorë që janë kthyer në vend depozitime mbetjesh, ku rrjedha i transporton ato në zona të tjera, duke transferuar ndotjen në ujëra dhe toka të tjera.
Po ashtu hedhja pa kriter në sektorin e tabanit të liqenit të Shkodrës në periudhën e verës, të materialeve inerte, të cilët me rritjen e ujërave të liqenit do të dekantohen, dhe do ta cektësojnë më shumë këtë hapësirë ujore. Të gjitha këto janë mbetje nga ndërtimi, prishja dhe mirëmbajtja e ndërtesave.
Erozioni i tokës është një problem i madh në zonat përreth brigjeve të lumenjve. Lumi Buna, Drini dhe Kiri takohen në një bashkë-rrjedhje në jug të liqenit të Shkodrës. Në dimër këtu uji arrin një nivel me të lartë (kryesisht në sezonin e shirave) dhe pengon rrjedhjen e ujit nga liqeni i Shkodrës. Kjo gjë shkakton përmbytje por pengon gjithashtu edhe derdhjen e ujërave të zeza dhe të shiut, nga zona urbane duke shkaktuar grumbullime të mëdha të ujit brenda qytetit. Kjo situatë është përkeqësuar edhe nga depozitimi i materialeve në shtratin e lumenjve duke reduktuar kështu kapacitetin e tyre.
Problemet mjedisore kërkojnë ndërhyrje në zonat të cilat paraqesin vlera nga pikëpamja e peizazhit, rikthimin e funksioneve të mëparshme, ose rehabilitimin, rikthimin e vetive natyrale. Shkalla e ndërhyrjeve në keto zona varion nga sistemimet e terrenit, krijimi i brezave të gjelbër, apo trajtimet për të rikthyer vlerat estetike të qytetit të Shkodrës. /Publikuar në Facebook nga Ervis KRYMBI, pedagog/