
Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet më 21 mars. Si e tillë ajo është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Çdo vit, ngjarje të ndryshme shënojnë këtë ditë duke ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve.
Ngjarjet ekstreme si zjarret, janë një kërcënim i madh për vendet evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë.
Shkaqet e këtyre të zjarreve mund të jenë antropogjene (pakujdesitë njerëzore, djegia e kullotave dhe në një masë jo të vogël si rezultat i zjarrvënies) ose natyrore (rrufetë).
Rritja e frekuencës dhe intensitetit të rënies së zjarreve në pyje, sidomos në dekadat e fundit, ka çuar në një rritje të nevojës për të monitoruar zjarret por edhe për të vlerësuar sipërfaqet e dëmtuara nga zjarret.
Pas vitit 2011, viti 2017 ishte një vit tjetër me një numër të madh zjarresh në pyje e kullota (rreth 250 zjarre).
Së bashku me ndryshimet klimatike, thatësirën, zjarret në pyje konsiderohen si një nga shqetësimet kryesore, që shkaktojnë ndër të tjera edhe shkatërrimin e bimësisë në Shqipëri.
Ndryshimi i klimës sjell një sfidë të madhe për pyjet,veçanërisht për zonat mesdhetare, ku probabiliteti i ngjarjeve ekstreme pritet të rritet.
Sipas raportit të EFFIS, ka një tendencë të qartë që tregon nivele në rritje të rrezikut nga zjarri, sezone më të gjata të zjarreve dhe “zjarre të mëdha” më të shpeshta, me përhapjetë shpejtë, mbi të cilat strategjitë tradicionale të shuarjes kanë pak fuqi. (San-Miguel-Ayanz et al., 2020).
Zjarret kanë qenë vazhdimisht të pranishme në Shqipëri duke ndikuar në përbërjen dhe strukturën pyjore. Mesatarisht 385 zjarre ndodhin çdo vit në vend duke djegur një sipërfaqe pyjore prej 2340 ha.
Të dhënat europiane për zjarret shqiptare tregojnë se gjatë vitit 2024 (nga janari deri më 1 tetor) u prekën rreth 46.442 hektarë pyje dhe kullota nga rreth 164 zjarre masive që u shënuan në të gjithë Shqipërinë.
Duke ruajtur pyje të shëndetshme, dhe duke përfshirë komunitetet në masat proaktive të parandalimit të zjarrit, Shqipëria mund të mbrojë më mirë peizazhet e saj pyjore dhe biodiversitetin që ajo mbështet.
Adresimi i sfidës së zjarreve në pyje kërkon një përpjekje të përbashkët që kombinon kërkimin shkencor, strategjitë praktike të menaxhimit dhe angazhimin e fortë të komunitetit.
Shpejtësia e reagimit është faktori me i rëndësishëm në parandalimin e një zjarri të sado të vogël, në mënyrë që mos të kthehet në një emergjencë civile në shkallë të gjerë.
Ekosistemet pyjore mbartin vlera ekonomike, mjedisore, rekreative dhe turistike. Këto ekosisteme kërcënohen në mënyrë serioze nga zjarret, të cilat sjellin pasoja të mëdha negative të tilla si: shkretëtirëzimi, erozioni i tokës, humbja e biodiversitetit, humbja e funksioneve biologjike të cilat pasohen me humbje të mëdha social-ekonomike.
Njohja e gjendjes së sipërfaqeve të prekura nga zjarret dhe përcaktimi i rrugëve dhe mënyrave për rehabilitimin e tyre është një sfidë e madhe por edhe domosdoshmeri për menaxhimin e përshtatshëm të sipërfaqeve të dëmtuara në të ardhmen.
Sistemi i përgatitjes dhe përgjigjes ndaj emergjencave civile duhet të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme , të qëndrueshme dhe të integruar, sipas një vizioni strategjik afatgjatë, duke pasur parasysh sfidat e reja si ndryshimet klimatike.
Menaxhimi i sipërfaqeve të djegura kërkon domosdoshmerisht një vlerësim të shpejtë të dëmit të shkaktuar nga zjarret në pyje me qëllim që të merren masat e nevojshme për rehabilitimin e këtyre sipërfaqeve. Njohja e gjendjes aktuale në të cilat ndodhen speciet drunore është tepër i domosdoshëm në mënyrë që të merren masat mbrojtëse në të ardhmen.
Marrja e masave konkrete, kundrejt çdo lloj rreziku natyror, duhet të jetë pjesë e studimeve dhe sidomos kontrollit periodik mbi territor. /Nga Ervis KRYMBI/