
Sot me datë 15 prill është përvjetori i tërmetit të vitit 1979. Shumë tërmete në të kaluarën na japin njohuri për efektet, të cilat janë shumë të rëndësishme, kur bëhet fjalë për planifikimin e zhvillimit urban dhe infrastrukturës së nevojshme si dhe zbutjen e efekteve të fatkeqësive të tilla në të ardhmen.
Në rajonin e Shkodrës që përkon ndryshe me pjesën Veri-Perëndimore të Shqipërisë, vërehet pikë takimi apo planet e ndarjes së disa nga zonave tektonike të Albanideve dhe pjesë të ultësirës ndermalore e mbivendosur, siç mund të konsiderohet zona e ulët e Shkodrës. Një mpleksje e tillë e shumë zonave tektonike ndarë me plane thyerjesh me shtrirje gjatësore nga Veri-Lindja në Jug-Perëndim dhe Veri-Perëndim-Jug-Lindje dhe nga tërthorja Shkodër-Pejë ose ndryshe thyerja e Drinit tregon shumë pse rajoni i Shkodrës ka qenë dhe mbetet me aktivitet tektonik, neotektonik dhe sizmik të konsiderueshëm.
Në të gjitha zonat sipas periudhave kanë ndodhur ngjarje të ndryshme të intensitetit të rrudhosjes, të uljes ose të ngritjes, apo të fundosjes, lidhur këto dhe me përbërjen gjeologjike me qëndrueshmëri të ndryshme.
Kushtet e mësipërme kanë pasur dinamike interesante sidomos në zonën e thyerjeve depresionale të Shkodrës që përkon me Ultësirën e NënShkodrës, ku sizmiciteti është shfaqur më dëmtues. Këtë e dëshmojnë ndryshimet e herë pas hershme të shtretërve të lumenjve Buna e Drini në rrjedhjen e poshtme të tyre, fundosja e grabenit të Shkodrës dhe evolucioni i liqenit.
Disa nga tërmetet në rajonin e Shkodrës:
●6 Prill 1667 të dhëna indirekte nga studiues sllave nga tërmeti i Dubrovnikut i cili u shkatërrua plotesisht dhe pati 5000 te vdekur, por sipas tyre në qytetin e Shkodrës intensiteti i këtij tërmeti ishte 7 ballë.
●Shkurt-Tetor 1855 – 12 tërmete të forta deri 8 ballë dhe dëme të shumta sidomos në Bushat-Kosmac-Vau i Dejës.
●1 Qershor 1905 rreth orës 6’’ te mengjesit 9 ballë, me i fuqishmi i regjistruar deri tani e me pasoja mjaft të rënda. Tërmeti i 1905 në Shkodër është njohur me emrin “zerzele”.
●27 Gusht 1948, madhësia 5.5 intensiteti 8 ballë, më tepër u godit zona e Oblikës dhe përtej kufirit shtetëror.
●15 Prill 1979 ora 07.19 me madhësi 7.2 dhe intensitet 8 ballë, me epiqendër në det në Veri-Perëndim të Shkodrës midis Ulqinit dhe Kotorrit.
Në disa dokumente të kohës tërmeti i 15 prillit 1979, paraqitej si më poshtë:
“Në territorin e vendit tonë, në bregun e lumit Buna intensiteti i tërmetit ka qenë rreth 8 ballë MSK-1964. Tërmeti shkaktoi 35 të vdekur dhe 176 të plagosur në rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës. Në këto dy rrethe u shkatërruan 1730 shtëpi banimi dhe u dëmtuan 5115 shtëpi banimi, objekte ekonomike dhe social kulturore.
Lëkundjet e këtij tërmeti u ndjenë në të gjithë territorin e vendit tonë, si dhe në gjithë Jugosllavinë, Greqinë Veriore, në Bullgari, në Itali.
Tërmeti shoqërohet me shumë pas goditje. Deri në orën 21.00 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar 206 pasgoditje, disa nga të cilat kanë patur magnitudë mbi 4.0. Më e forta nga to ndodhi në orën 15.43 me magnitudë rreth 6, sipas shkallës Rihter; lëkundjet e kësaj goditjeje janë ndjerë edhe në Tiranë. Janë dëmtuar 80 % e shtëpive të zonës së Velipojës, Bushatit, Barbullushit, në zonën e Dajçit dhe në fshatin Pentarë janë rrënuar krejtësisht 80% e shtëpive.”
Po ashtu sipas Qendrës sizmologjike, Tiranë:
“Nga studimi i shpërndarjes së hapësirës së pasgoditjeve të tërmetit të datës 15.04.1979 rezulton se aktiviteti sizmik zë në zonë thuajse lineare me gjatësi rreth 100 km përgjatë bregdetit Adriatik, rreth 20-30 km larg bregut, nga Ulqini deri në Hercegovinë. Lëkundjet sipas mendimit tonë, do të vazhdojnë dhe për një kohë relativisht të gjatë.”
Termete të fuqishëm që kanë goditur territorin e rajonit tonë, ata që përmendëm më sipër, përveç dëmeve të mëdha që kanë shkaktuar në objekte dhe viktima në njerëz, kanë shkaktuar edhe dukuri në truall si rrëshqitje brigjesh, rrëzim të shkëmbinjve nga shpatet e maleve, çarje në truall në zonat me truall të butë.
Fotot ilustruese të mëposhtme nga ngjarjet e 15 prillit 1979 si dhe rindërtimi më pas i shtëpive të dëmtuara! /Nga Ervis KRYMBI, publikuar në Facebook/