
Shkodra nuk është thjesht nji qytet me histori, e as vetëm vend ku puthën Drini e Buna. Ajo është zemra morale dhe politike e të djathtës shqiptare, nji bastion i qendresës ndaj komunizmit, nji burim i vlerave europiane, dhe nji burim i pandalshëm i elitës kulturore, fetare e intelektuale. Por ndal! Për këtë arsye, përfaqësimi politik i Shkodrës nuk mund të jetë n’dorë të fatit, rezultat i kompromiseve të brendshme, apo listë e “Yes Man” të kryetarit të Partisë.
Sot, përballë opinionit publik shkodran dhe ma gjanë, Partia Demokratike paraqitet me nji listë kandidatësh që më shumë ngre pikëpyetje sesa shpresë. Nuk dua t’i vlerësoj në individuale. Kjo listë, e shumë përfolun, është simptomë e nji problemi shumë ma të thellë: krizës së organizimit strukturor, përfaqësimit dhe mungesës së meritokracisë në strukturat vendore të partisë.
Ky fenomen nuk është thjesht çështje individësh, por e nji problemi sistemik: mungesa e procesi të hapur, konkurrues dhe të konsultuar me bazën. Kandidatët nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht as vizionin konservator, as intelektualët që kanë kontribuar për vite në jetën publike në të cilën listë mungojnë emrat, dhe as energjinë e rinisë shkodrane që po kërkon hapësirë por hapësirën e gjetën në listën e hapur. Në vend që të mbrohet filiza ajo u la në qiell të hapur. Duket se lista është më shumë produkt i marrëveshjeve të brendshme sesa i nevojës për të rindërtuar lidhjen me qytetarët.
A meriton Shkodra ma shumë? Ajo ka nji diasporë të jashtëzakonshme, profesionistë të respektuar brenda dhe jashtë vendit, të rinj të formuar në universitete të njohura, si dhe burra dhe gra me integritet në çdo lagje të qytetit. Po pse këta zëra nuk përfaqësohen? Pse mungon nji hapsinë reale për kontribut dhe për dialog?
Partia Demokratike në Shkodër ka nevojë për nji rinisje të thellë dhe jo “fillim të ri” – jo thjesht për ndryshim listash, por për rikthimin e demokracisë së brendshme, të përfshirjes së profesionistëve, të aktivizimit të të rinjve dhe të rikthimit të idealit. Pa këtë reflektim të thellë, çdo listë – edhe ajo më e përkrahura nga strukturat – do të dështojë të rikthejë besimin e qytetarëve.
Nuk është kurrë vonë për me reflektu. Është koha për ta kthy këtë situatë në nji pikë kthese. Është koha që vetë qytetarët shkodranë, brenda dhe jashtë vendit, të mos heshtin përballë këtij deformimi të përfaqësimit. Sepse heshtja do të thotë dorëzim. Dhe Shkodra, historikisht, nuk është dorëzuar kurrë. /Nga Engjell GJUGJA, Kanada/