
A mësuam diçka nga historia? Po. Shumë. Mësuam se liria nuk mund të pretendohet në varfëri. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për varfëri materiale. Njerëzit që puthin dorën e udhëheqjes kishin shtëpi.
U shembën nga tërmeti dhe shteti po i rindërton. Koston e rindërtimit do e paguajmë të gjithë bashkë, si përgjegjshmëri sociale ndaj njerëzve në nevojë. Madje edhe fëmijët e atyre që sot i këndojnë puthadorazi liderit, nesër do të vazhdojnë të paguajnë koston e borxhit të marrë nga qeveria për të rindërtuar shtëpitë e tyre.
Por kjo pak rëndësi ka sot. Le të këndojmë e të gezohemi. Disa familje morën çelësat e shtëpive të reja dhe i përulen lartmadhërisë. Të tjerë bashkohen në këngë e valle me shpresën se partia do e hapi thesin edhe për ta. Dinjiteti dhe morali i njeriut që shkelet dhe baltoset pa mëshirë nën çizmen e udhëheqjes.
Shumica e tyre i kanë nisur tashmë fëmijët në emigracion për të mbijetuar. Të tjerët do i nisin së shpejti. Mungesën e fëmijëve do e zëvendësojnë me peshën e betonit dhe tullave të shtëpisë, që shumë shpejt do të ngjajë më e zymtë se fytyrat e tyre teksa këndojnë “marrsh nga ditët tona”. Shfaqja vazhdon… Historia përsëritet!
Dicitura e fotove: kur partia qesh – populli qesh, kur partia brengoset – populli brengoset! /Publikuar në Facebook nga Eli GOLEMI/