Oh, patjetër, medoemos e pashmangësisht më duhet ta siguroj që në krye të herës kryeministrin Rama tejet të paparashikueshëm dhe ministrin e tij Lleshaj tejet të zellshëm se titulli i këtij shkrimi nuk përbën kurrsesi një thirrje a gréshje që turmat e pakënaqura nga qeveria e nga qeverisja aktuale të ngrihen, të bashkohen dhe të marshojnë me hap të vendosur luftarak e me një àgrésivitet të paparë politik drejt banesës kështjellore apo bunkeriale (pa “h” pas shkronjës “i”) të kryeqeveritarit tonë absolutisht absolut e përjetësisht të përjetshëm në postin e tij të lavdishëm (me “d” dhe aspak me ndonjë shkronjë subversive në vend të saj).
Jo, këtë titull ma frymëzuan dy persona anonimë, krejt të rëndomtë, të cilët, siç më vuri në dijeni ish-kolegu dhe miku im i vjetër Francesk Armadhi, e kanë shpallur botërisht adhurimin e tyre të lakuriqtë në Facebook për kryeministrin e tyre duke e cilësuar atë si “mbret”, “gjeni” e “perëndi”, ndonëse Shqipëria zyrtarisht është ende republikë parlamentare dhe shtet laik.
Këto dy personazhe, le t’u quajmë Tafti dhe Bafti, paskan vendosur që të nisen në këmbë drejt Surrelit për ta takuar kryeministrin që t’i bëjnë një propozim të paparë e të padëgjuar ndonjëherë. “Çfarë propozimi?”, mund të pyesë në këtë çast dikush nga lexueset apo lexuesit e mi kureshtarë e sidomos të intriguar.
Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, më duhet të saktësoj, gjithnjë sipas informacioneve që më përcolli Françesk Armadhi, se një natë para se të vendosnin të niseshin në këmbë drejt Surrelit, Tafti dhe Bafti kishin parë në ëndërr, secili në shtëpinë e vet, sikur Enver Hoxha, idhulli i tyre i dikurshëm, i kishte ngarkuar me një mision historik: Të bënin një pelegrinazh në Surrel për ta shpallur fshatin në fjalë vend të shenjtë ngaqë kryeministri Rama e meritonte plotësisht të shenjtërohej në emër të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe të Enverit dora vetë me grusht përpjetë!
Kjo detyrë iu duk themelore dy miqve të cilët, pasi hëngrën mëngjes (pilaf me fasule) u veshën si për ditë feste, dhe “Tafti-bafti! – i thanë njëri-tjetrit – Përpara drejt Surrelit!”. Pastaj vunë maskat e dorezat antikovid-19 për të mos e zhgënjyer kryeministrin dhe u nisën. Sigurisht, ecnin ngadalë, bënin nga një pushim të vogël, dhe ëndërronin me zë të lartë si vijon:
“Përpara drejt Surrelit! Le ta fusim atë në historinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të mbarë rruzullit tokësor! Turp, turp, tri herë turp për UNESKO-n nëse nuk e regjistron këtë monument madhështor në trashëgiminë kulturore të njerëzimit! Turp, turp, tri herë turp për ministren e Kulturës nëse ajo ende nuk e ka bërë kërkesën për këtë regjistrim të domosdoshëm!” (Këtu ata bënë një ndalesë sa për të lehtësuar fshikëzën e urinës rrëzë një peme pa rënë në sy të kalimtarëve të rastësishëm).
“Përpara drejt Surrelit! Atje ngrihet e madhërishme dhe e pamposhtur kështjella ku jeton, punon, prodhon, shkruan dhe projekton të ardhmen e popullit tonë të lumtur gjeniu Rama pa i kursyer forcat dhe energjitë e tij të pashtershme! I lumtë, i lumtë, tri herë i lumtë goja shoqes Spiropali që e ka krahasuar udhëheqësin tonë legjendar me Skënderbeun, i cili, po të kishte qenë gjallë do ta kishte vënë pallën e tij në shërbim të Partisë sonë Socialiste!” (Këtu ata bënë një ndalesë rrëzë një gardhi sa për të shkarkuar gazrat e barkut duke u kollitur njëkohësisht me të madhe në mënyrë që gjëmimi i tyre krenar të mos binte në vesh të kalimtarëve të rastësishëm, në mënyrë gjithashtu që parfumi i tyre politik të mos ua guduliste këtyre hundën nazike).
“Përpara drejt Surrelit! Atje u bëftë njëqind vjeç e rroftë e mbretëroftë Kryeministri ynë, Heroi i përjetshëm i Popullit tonë Ramadashës, i këtij Populli të cilit i duhet patjetër të nxjerrë nga gjiri i vet një Barlet dhe një Fan Nol që të shkruajnë Epopenë Ramadiane të cilën ne mezi po e presim! Nxitoni, nxitoni, tri herë nxitoni, me hap, me trokth e me revan, o anëtarë të nderuar të Akademisë së Shkencave, që të organizoni sa më shpesh, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, kongrese, simpoziume, seminare, konferenca e veprimtari të tjera madhështore për të promovuar në të gjitha vendet Mendimin e Ndritur të Shkencës Ramiste, Sorosiste e Globaliste!” (Këtu ata bënë një ndalesë sa për të zbrazur zorrën e trashë rrëzë një muri të lartë pa rënë në sy, në vesh e në hundë të kalimtarëve të rastësishëm).
“Përpara drejt Surrelit! Le të nënshkruajmë të gjithë masivisht një peticion për ndërtimin në Surrel të një Galerie Arti Universale ku të ekspozohen vetëm pikturat e mrekullueshme të Kryeministrit tonë Unikal, për ndërtimin gjithashtu të një Teatri Kombëtar Universal ku të vihen në skenë vetëm dramat kushtuar Atij dhe, së fundi, për ndërtimin e një Muzeu Universal kushtuar Jetës, Mendimit dhe Veprës së Pavdekshme të Gjeniut tonë Edi Rama!”.
Mjerisht, nga lodhja e tepërt dhe e papërballueshme për moshën e tyre, por edhe nga emocionet e vrundujve të tyre liriko-epikë, Taftit e Baftit u ra të fikët në të hyrë të Surrelit dhe, pasi u përmendën, u habitën kur e panë veten në një ambulancë që po i kthente me shpejtësi në Tiranë. “Ku dreqin po na shpini, more?” – e pyetën ata doktorin që po u rrinte mbi krye. “Në spital, – iu përgjigj ai – pa merak, atje po shkojmë. Përpara drejt spitalit!…”. Pastaj shtoi: “Ndonëse deri tani, herë njëri dhe herë tjetri, thoshit vetëm ‘Përpara drejt Surrelit!'”.
Gjithsesi, dy javë më vonë, pasi e rimorën veten, Tafti dhe Bafti u takuan për të pirë një kafe turke dhe e pranuan se ishte më mirë që nuk e takuan kryeministrin Rama se ndoshta mund t’i kishin ngjitur korona virusin e mallkuar, por pastaj e hodhën poshtë këtë ide duke pohuar me krenari që në Surrel, më saktë në Kështjellën e madhërishme e të pamposhtur të Kryeministrit, nuk bie koronavirusi, as tërmeti, madje as rrufeja! Aleluja! /Nga Edmond TUPJA/