Do të vijë një kohë që do të pyesësh veten: Pse babai më këshilloi të studioja në USA? Shpresoj që kjo pyetje të mbërrijë sa me vonë dhe mundësisht vetëm në formën e kureshtjes. Megjithatë po t’i jap disa arsye, duke pretenduar që na takojnë vetëm ne të dyve dhe asnjë prindi apo fëmije tjetër, të lire në vendimet e tyre. Nuk është dramë pse Ti zgjodhe të largohesh për studime, por është dramë pse Ju zgjidhni të largoheni, është drame pse Ata bëjnë sikur nuk kuptojnë pse Ju largoheni çdo vit e më shumë.
Së pari sepse ketu, në vendin tonë të bukur që të dy e duam shumë, nuk do të ishe e lirë. Ose do të kishe një liri të përthyer. Këtu je plotësisht i lirë të mbijetosh, por për të jetuar ka disa kushte dhe këto kushte jam i sigurtë se nuk i plotësoje dot. Këtë e tregove me karakterin e fortë, e drejtë dhe shpeshherë të ashper në mbrojtjen e të drejtës tënde, që në klasat parauniversitare. E pra, kishe dy mundësi: ose të thyhej karakteri yt për të jetuar, ose të jetoje duke mbijetuar.
Së dyti, që të ecësh në jetë, në karrierë, në shoqëri, do të duhej të jetoje përherë në një varkë që lundron vetëm në det me tallaz. Rrezikon të përmbytet barka, rrezikon të të hedhin nga barka, rrezikon urinë, etjen, por ke dhe rrezikun e madh fare që mund të zgjedhësh të “hash” shoqen a shokun e barkës që të vazhdosh përpara. Justifikimin që mund ta dëgjosh rëndom, jeta është luftë, mos e beso, është idiotllëk. Është gjetje e shfrytëzuesve dhe të paskrupujve, për të justifikuar tradhëtitë që u kanë bërë miqve, pabesitë që u kanë bërë kolegëve, e manipulimet që u kanë berë kujt i ka rënë puna me ta. Ka dhe një jetë pa luftë. Është jeta me përpjekje, me mundim, me sakrifica, pa lënë viktima rrugës, por që në fund të jep shpërblimin e punës dhe studimeve, nuk të lë në fund të zinxhirit njerëzor siç ndodh rëndom në vendin tonë të bukur. Mjafton të hedhësh sytë vërdallë në atë vendin ku je tani dhe të shohësh shumicën e bashkatdhetarëve tanë dhe të bindësh për këtë. E të bindesh edhe sa kollaj mund të flasin pa qenë anonimë, për politikën, për problemet e për qeverinë, pa pasur frikë se të nesermen do të “këshillohen” a me keq të shkurtohen nga puna.
Së treti, nuk ke për t’u paragjykuar. As per prejardhjen tënde siç mund të ndodhte në çdo vend të Europës, as për pasurinë tende siç mund të ndodhte në çdo cep të Shqipërisë, as për mendimet e tua, as për jetën tënde. Do të duhet vetëm të zbatosh disa rregulla e ligje, por fantastike është që po ato rregulla e ligje i zbatojnë pothuajse të gjithë në atë vend. Pra je e barabartë, në start njësoj keni qenë të gjithë. Të tjerat, varen nga aftësitë, durimi, dëshira dhe vullneti. Krejt ndryshe nga “diku tjetër”, apo jo? Aq ndryshe sa disa të kthyer nga Amerika, janë asimiluar nga “e keqja”. Apo u ka pëlqyer?!
Së katërti, horizonti. Në vendin tone të bukur, horizontet e tua do të mbylleshin, jo për fajin tënd, vetëm brenda kryeqytetit, në xhunglën me të ashpër të mbijetesës, që sa më të bukur ta tregojnë, aq me e shëmtuar është në të vertetë. Njerëz që nuk duan të sillen si të tillë, shërbyes publike që sillen si latifondistë, qytetarë që zgjedhin frikën si zezakë pambuku, injorante që shesin filozofi, eskorta që reklamohen si modele pa ditur ça është pasarela, fëmijë “pasunarësh” që bëjnë gara me makina 200 mijë euro e të cilët policia i nderon, drejtësi që vetëm shkruhet e tillë sepse prej 30 vjetësh është e padrejtë, arsimim që nis sëprapthi që tek kërrabat e abetares, shendetësi ku vetëm shendeti mungon, njerëz që sulmojnë për qejf mjekun, mësuesin, policin, ushatarakun, fisnikëri që zhduket çdo ditë e më shpejt, trashëgimi pa ADN, kaos dhe simbioza në cdo cep. Të gjitha këto, dhe më shumë akoma në kryeqytet, pranë syrit të vëmendshëm të kujtdo organizatë e institucioni vëzhgues e raportues të huaj, që bëhet shqiptar aq shpejt sa nuk imagjinohet. Përshkrova me pak fjalë Tiranën. Nuk guxoj të përshkruaj qytetet, sepse aty s’ka vijë horizonti fare.
Së pesti, ajo që të dërrmon më shumë nuk është reklama apo nderet që i bëjnë sho- shoqit, të njohurve, apo lidhjeve të ndryshme në ekranet tona televizive, por ajo që ofrojnë si fytyra e mendime të reja; janë kaq mizorisht servile, të përulur, të atrofizuar, të kryetarëzuar, të gatshëm të shesin fytyrën e prapanicën për karrierë, e të shiten për më pak se 30 aspra për të ndërruar mendim, e të lëpijnë e kafshojnë çdo gjë për karrige. Ky është shembulli. Nuk ka asnjë ndryshim sado të ndryshojnë ngjyrat. E ardhmja është aq e errët, aq e pasigurtë, sa të duket se jeton në një ndërtesë pa themele, me mure rëre e me çati betoni. Ka një lidhje aq të fortë mes pushteteve, aq të pathyeshme, aq mafioze, aq të nëndheshme e mbidheshme, sa të duket se për ta ciflosur sadopak është si t’i biesh me kokë murit në një spital çmendinë me duart e lidhura. Mos më thuaj të merren njerëzit me punët e bizneset e tyre, sepse nëse do duan të jenë të pavarur, do të vijë shteti të merret me ta. T’ua nxijë jetën deri në atë pikë sa të hyjnë me domosdo në njërën ose tjetrën rrjetë, nuk ka rëndësi, e rëndësishme është të jenë brenda “sistemit”. Sepse liria rrezikon sistemin. Sistemin që ngrihet mbi zinxhiret e injorancës, servilizmit, dyfytyrësisë e karakterit të shformuar.
Së gjashti, askush nuk do të luajë me atë që të takon, që meriton, që fiton. Kjo është e sigurtë. Në vendin tonë të bukur është e sigurtë që kjo nuk ishte aspak e sigurtë. Ke dëgjuar për të drejtën e pronës? Aty ku studion tani është e shenjtë. Në vendin tonë të bukur e drejta e pronës është nxitje për humor. Humor të zi. Po për të drejtën e jetës ke dëgjuar? Vendi ynë i bukur i fshehu ata që u shkatërruan jetën me mijëra njerëzve. Sot mund të jenë kudo. Madje mund të jenë duke mbajtur edhe leksione. Mund të jetë edhe një komshi. Po mund të jenë edhe duke bërë ligje. A është e drejtë kjo? Nëse do të pyesësh aty ku je, do shkaktosh habi dhe zemërim, sepse e drejtë e vonuar, e drejtë e mohuar; imagjino se çfarë është e drejta e mohuar përjetësisht. Por në vendin tonë të bukur e kalojmë me “të shkuara të harruara”. Mendoje, si mund vallë të harrojë dikush që ende nuk e di pse ia arrestuan babanë, pse ia degjeneruan nënën, pse ia internuan vëllanë, pse nuk i dhanë shkollë. Është një plagë që e lanë të mahisej, dhe sot vetëm lëshon erën e keqe, por ne nuk e dimë se nga vjen, thjesht e ndjejmë pa qenë të aftë ta shërojmë.
Së shtati dhe do hyjmë paksa më personale, munda egozimin tim prindëror, për të mos rrezikuar një të neserme ku ti më kerkon llogari: pse më le të studioja në këto shkolla. Sepse universitetet në shumicë kanë degraduar. Nuk ke nevojë të shkosh auditor më auditor, mjafton të ndezësh TV në darkë, në çdo stacion do prezantohesh me dhjetëra pedagogë në shkolla të ndryshme, që kur i dëgjon qan me njërin sy e qesh me tjetrin. Për të ardhur keq. Sa më pompoz ta kenë prezantimin, aq më bosh tingëllojnë. Duket sikur ka marrë fund ajo plejada e pedagogeve studiozë, shkencëtarë, kërkues, punëtorë, modestë (më ka dhënë leksione dikur një i tillë, quhej Fatos Baxhaku), autoritarë në zotërimin e lëndës, dhe ka ardhur koha e pedagogëve “hajt japim mësim, marrim ndonjë lek, dalim dhe në televizor”. Jo, jo, nuk janë aspak të gjithë kështu. Por ngaqë ata të miret (shumica është e tillë) janë të pazëshëm, duket sikur nuk egzistojnë. Njëri po nuk i do t’i shfaqë, sepse profesionistët nuk sjellin klikime. U desh një termet dhe një pandemi që të mësojmë se egzistojnë edhe inxhinierë e doktorë shqiptarë, jo vetëm brenda kufijve, por edhe jashtë. Ishim mësuar vetëm me emra kriminelësh. Por vallë a duhet të presim vetëm fatkëqësi për të njohur profesionistë dhe ekspertë? Sa të gjenim përgjigjen e kësaj pyetjeje do kishe arritur moshën që kam unë sot.
Së teti, kam krijuar bindjen e fortë se vetëm me kontaktin kulturor jashtë Shqipërisë, mund të përcjellim sadopak kulturë brenda saj. Të paktën në sjellje. Është një betejë e vështirë, dhe kjo në fakt është lufta që duhet të bëjë viktima. Viktimat duhet të jenë injorantët që sundojnë, të padenjët që shfrytezojnë varfërinë për të bërë qejfet e tyre, të pangopurit që gllabërojnë çdo gjë që kanë mundësi e që ua kanë lënë në ruajtje e mirëbesim. Mbi të gjitha viktimë duhet të jetë frika e njerëzve. Duhet vrarë frika. Nuk vritet me padituri. Dhe unë besoj fort se emigrantët tanë, janë leva jonë e Arkimedit për të bërë ndryshimin e madh. Problemi që kam me këtë “ekuacion” në koken time, është se shqiptarët integrohen aq shpejt kudo që shkojnë, janë kaq të afte të shprehin talentet e tyre të mohuara në vendin tonë të bukur, emancipohen, kulturohen, edukohen, evoluojnë aq shpejt, sa vendin e tyre tashmë e shohin thjesht si zgavrën e xhunglës ku lindën e u rritën, por që nuk shohin asnjë të ardhme aty. Kjo është e dhimbshme, por e vërteta. Të pakten edhe për shumë vite. Nuk shoh askund dëshirë, entuziazëm, vullnet, fryme që ta shndërrojnë këtë zgavër. Njerëzit, ata që e bëjnë vendin, kanë zgjedhur fatkeqësisht të mbijetojnë në shumicë, duke parë nëpërmjet smarteve se si jetojnë shfrytëzuesit e tyre, bijtë, apo kandidatët për shfrytëzues.
E nënta, në vendin tonë të bukur ka humbur krejt sensi i masës. Sensi i turpit. Sensi i cipës. Sensi i faqes. Çdo gjë e pandershme bëhet aq hapur, flitet aq lehtësisht, merret aq me të qeshur, kalohet aq lehtë, sfumohet aq pabesueshmërisht, saqë arrin një moment kur do të duket vetja se je jashtë kohe. Do të gjendesh para dy mundësive: të përshtatesh, ose të shpallesh i padëshirueshëm. Një gjë duket krejt e sigurtë: Askush që ka arritur të përfitojë mbi sensin e masës, paturpësisht mbi sensin e masës, as ka për t’u gjykuar ndonjëherë, as ka për të kthyer gjë në arkën e qytetarëve (shtetit), as do të jetë ndonjëherë faqeskuqur përballë mjerimit, të shkaktuar edhe nga makutëria. Nëse s’më beson, kur të vish do të çoj në Bulqizë. Aty është thelbi i gjithë këtij 30 vjeçari në Shqipëri, ku pushteti, biznesi, media, kanë formuar unitetin e çelniktë të përfitimit, mbi kurrizin e kujtdo që guxon e del nga rreshti.
E dhjeta, nuk krahasoj dot vendin tonë të bukur me Amerikën e pamatë, e të padytë. Por njerëzit patjetër. Ka pasur edhe Amerika kohë të vështira. Por gjithashtu ka pasur njerëz, kurdoherë ka pasur njerëz, që kanë dashur të ndryshojnë gjërat. Dhe këta njerëz i kanë ndjekur të tjerë njerëz. E kur krimi dhe korrupsioni shënjonin çdo jetë në përditshmëri, masa ka lëvizur nga vendi. Ka pasur qeveritarë që kanë luftuar dhe nuk kanë pranuar nënshtrimin. Ka pasur gazetarë që nuk janë blerë e as kanë shitur. Ka pasur policë që nuk qanin për rrogën, por hapnin beteja edhe pse e dinin se po hapnin varret e tyre. Janë të tillë njerëz, antisistem, antiestablishment, që bëjnë ndryshimin, që ndërgjegjësojnë, që turpërojnë madje masën e madhe të pazëshme, duke u vrarë frikën e duke i kthyer nga qengja në luanë, qoftë edhe për një ditë. Sepse ndonjëherë mjafton edhe një ditë për të dridhur sistemet. Nuk po flas për heronj. Heroinë është një nënë e vetme, që bën dy punë dhe gjen kohë në darkë të luajë me fëmijët e saj. Jo. Po flas për njerëz me guxim. Këta na mungojnë. Apo me keqardhshëm, i kemi fals.
E fundit na përket vetëm ne, është plani ynë, ashtu si çdo familje ka planin e saj, prandaj nuk po e them me zë të lartë. Por gjithsesi, askush nuk do të na e heqë nga zemra vendin tonë, ashtu si askush nuk mund të na detyrojë të shohim, të rrimë, a të frymojmë pa bëzajtë teksa e shqyejnë vendin tonë. Aq sa mundësi kemi. Lingooo lingooo. /Nga Edmond ARIZAJ, gazetar/