NGA EDMOND ARIZAJ – Cilët po e shkatërrojnë familjen shqiptare…?

Jo komuniteti LGBT. Unë nuk kam asnjë ndryshim në qëndrimin ndaj ekspansionit, arrogancës dhe dhunës “së të drejtave” që ata ushtrojnë nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik dhe masiv. Por kjo është tjetër gjë. Nuk janë daljet e tyre në TV, që ndikojnë tek burrat të rrahin a vrasin gratë, që detyrojnë çiftet të shkojnë në gjykatë për divorc një vit pasi kanë harxhuar 30 mijë euro për dasmën dhe kanë në video 40 makina që shkojnë krushq; nuk ndikojnë homoseksualët tek ikja masive e të rinjve, duke i lënë familjet shqiptare gjysmake. Jo. Unë mendoj se nuk mund t’u veshim atyre një faj që nuk e kanë.

E para, sa kanë ndikuar shoqëria, shteti, media, shoqatat, feja që të zvogëlojnë numrin e vajzave që martohen “në djep”? Si ndergjegjësohen, nëse ndërgjegjësohen prindërit, qoftë edhe me një fletushkë, se martesa e vajzës 15-16-17-18 vjeçe, do e kthejë atë në shumicën e rasteve në shërbyese, pothuajse skllave dhe gëzimi se e “hoqe nga shtëpia” do të kthehet në një hidhërim të përditshëm? Unë besoj fort se arsimi dhe shkollimi i vajzave, sjellin lirinë financiare dhe të të menduarit dhe kjo sjell vetvetiu edhe familje më të konsoliduara. Ja vlen që të hysh në borxh për ta shkolluar vajzën, jo për ta martuar sa i vijnë periodat, sepse rrezikon shumë, madje edhe jetën e saj siç ka ndodhur e ndodh rëndom në vendin tonë. Ndoshta duke folur 30 vjet rresht për 3 mijë njerëzit e “elitës” dhe “emancipimin” e tyre me ndarje, martesa, bashkëjetesa, përgjithësisht sa për show, kemi harruar qindra mijërat e njerëzve, dhe i kujtojmë vetëm për t’i pyetur: Po kishte ndonjë mosmarrëveshje vajza që u vra nga burri?


E dyta, jam i bindur që nuk është komuniteti LGBT, sado i pranishëm në media, ai që shtyn largimin masiv të fëmijëve 15-19 vjeç duke u përpjekur me çdo lloj mënyre të shkollohen jashtë Shqipërisë, por më e frikshmja, me perspektivën për të mos u kthyer veç kur i merr malli a për pushime. Pse? A nuk duket dhe ky një “divorc”, jo i bashkëshortëve, por i prindërve nga fëmijët. Madje në ndryshim nga më sipër, ky i dyti bëhet me konsesus, me shtytje, me bekim. Mos u duhet kërkuar llogari prindërve që nuk i mësojnë a detyrojnë fëmijët të rrinë në vendin e tyre? Do ishte budallallëk. Do të përgjigjeshin thjesht dhe drejt: Mundësi, perspektivë, siguri, besim, shpresë. Dhe për këto, janë të gatshëm të gjymtojnë familjen. Por nuk janë ata fajtorët. Ata thjeshtë kërkojnë të shpëtojnë ç’mund të shpëtojnë nga familja e tyre nga molepsja e përgjithshme e shoqërisë, njësoj si dhelpra që kafshon këmbën e zënë në çark.

Modelet që kemi ofruar dhe ofrojmë për familjen shqiptare ta shpifin. Modelet që kemi ofruar dhe ofrojmë për prosperitetin e fëmijëve të bëjnë për të vjellë. Janë modele që tashmë i kemi përpara syve dhe brenda mendjes në çdo orë të ditës. Nuk është faji i LGBT për këtë. Le t’i lëmë fantazmat naziste me gjetje fajtorësh për dështimet dhe frustrimet. Konsolidimi i familjes dhe frenimi i hemorragjisë së fëmijëve duhet të jetë prioritet absulut. E si përherë, për mua, në vend të parë si mjekim dhe vaksinë, është arsimi dhe shkollimi, çdo gjë tjetër vjen disa shkallë më poshtë. /Publikuar në Facebook nga Edmond ARIZAJ, gazetar/