Deri n’Bogë, mirëboll m’çoi ky zekani jem. Veç mbasi u ndala me i dhanë ujë sharovit, n’Prronin e Thatë, ma s’ia mur mendja me i shtërrnua kambët. Nisi me hingëllua e birave t’hundês me i dalë avull!
E pashë, se s’po ban ballë me iu përdredhë gjarpnores për Qafëthore!
Kal gjermani je bre i thashë! Për dimën e verë t’kan punua! Edhe për bjeshkët e Shalës, jo veç për t’allamonit, ani pse janë veç kërsha t’lamë me pishat si bajrak!
Berti, organizatori, m’tha, le bacë t’pushojë ky teknefec. Eja me mua. Dhe si cjepët kërshave, ne u ngjitem shpatieve t’Bogës!
I pata ra vitin e kaluem Tamarës deri n’Vermosh, por Bjeshkët e Namuna m’u futen mes Kelmendit e Thethit. Thashë, kur do t’ma bjen Zoti me i pa edhe ato bjeshkë t’egra t’Shalës. Atëherë s’na shkoi mendja se nji kokërr virusi, do t’na i shkundë mirë morrat, e do t’i kemi mall edhe Theth e Shalë!
Por ja që del dikush si Eduart Grishaj, birë i këtyne bjeshkëve, e don me ngjallë luftën e malësorve me malazez, tash e 85 vjet ma parë, e na bashkon neve artistëve, n’Bunin e Bajraktarit!
Vjen Tinka me 87 vjet e fiu! Vjen Çuni që librat ia bleu toptan Shkodra, e Adem Karaga i Kërçovës. Vjen Alfred Trebicka, ndoshta i Trebickës! Ku ta di.
N’Qafëthore na pret Gëzim Olaj me t’shoqën Ritën, le e rritë n’Bogë, e n’Lodër lindë femijët!
Mbas dy dekadash kthye n’bunin (dbanin) e babës, mu n’qafën që e ndanë Malsinë me Shalën!
Bukuri magjepse, që përjetohet, por nuk spjegohet!
Aqë sa e frikshme me egërsinë e gurit, e pjerrtësitë marramendëse, po aq joshse me molikë, pishë e klekë, e luginën përrallore të Thethit!
Gropa e Portit me treqind dele tue kullotë barin e kripçit vjeshtak!
Na marrin ngrykë, si kohnave t’bukura, e rakia e thanës na servohet nga Rita.
Artist, m’thotë i zoti i konakut, Gëzim Olaj. Edhe treqind dhi brinore me keca e cjepë, i kam n’Bogë!
Ti qenke vlla me mua i them. Se u rrita n’torishtat e dyqind bardhokave, m’atanë Bjeshkëve t’Namuna!
Sonte e pësë netët tjera, do t’fleshë në trollin ku ka le At Zef Pëllumbi.
Çohen n’kambë, n’shej nderimi, dhe sikur s’iu besoj veshve, i them: Si si?
Njëktu, n’ket kodër, dhe ban me dorë, sikur s’mjafton veç shikimi, aty të ajo molikë, Fishta e pader Anton Arapi, kanë meditua çdo verë. Zef Pëllumbi asht rritë n’prehnin e tyne, e falë Antinit asht ba prift!
Krajl as mbret, s’na kan shkelë artist, se rradaket ua kemi thye me gurë, thot e qeshet!
E lashë Londrën, e paret e djersës që ia mora, i shtina n’trojet e babës.
Këtij dimni do ta blejë edhe nji fadromë për mirëmbajtjen e rrugës, se beson ti a jo, pesë metra borë bjen, sa që as shtëpitë tona nganjiherë s’i shohim!
Por ne s’e shohim as Shkodrën për pesë muej, se gjamë e bubullimë deri n’trishtim, shkon këtyne majave!
Po ku asht shteti, i them, që ju len të ngujuem!
Shteti ka shumë punë o artist, e ne i kemi qëllua edhe Zotit edhe pushtetit pak s’i n’qoshe, e besa e Zotit rrallë bajnë ballë me dalë me na pa ku jetojmë e si jetojmë! Atyne iu mjafton me lexua “Majat e Shalës” t’Rose Wilder Lane, e udhëpërshkrimet e Editit, për me ditë se ku asht Thethi e ku Buni i Bajraktarit!
Ç’histori e bukur e kohve t’shkueme, e sa e dhimbshme e ditëve t’mia, kur t’harron pushteti, i them, dhe nga lumnimi që ma n’fund i dola Thethit përsipri, e marr sharkinë e knoj:
*
Kjeka çua Shala n’kambë
Mori Shkodër këtu na ke
Çoje kryet kqyr përpjetë
Nga dy zemra i kem për ty
Mos le krajla përmbi ne
Veç njiherë kemi me vdekë
*
Dhe lëshohet muzgu. Shikimi s’shkon ma as n’Theth poshtë, as n’Pukë atje naltë. Hapin gojët thepat që e rrethojnë veriun, e nisë fishkëllimë ere e bahet ftoftë.
Gëzimi e Rita e dhezin zjarrin e madh para konakut, e ne artistët i lexojmë batutat me regjizor Eduartin.
Sharkia bjen deri vonë, se vjen nga Shkreli Don Sheldia, e m’thotë: Knoma kangën e Dervishit “Moj Shqipni mos thuej mbarova” e zani përplaset kërshave t’Shalës deri n’Dukagjin!
Lumi unë që s’vdiqa dje me libra n’atë zapullimë Shkodre, se kisha mbetë pa e pa ket bukuri! /Nga Çun LAJÇI, Qafëthore, 18.09.2020/