Lulzim Basha ka vepruar si një skuth! Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.
Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimmarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike!
Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik. Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë!
Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjësimit të Partisë Demokratike, asgjësimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjësimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashëgimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.
Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike! Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjësimin e fondamenteve me bazike të demokracisë.
Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi! /Publikuar në Facebook nga ish- presidenti Bujar NISHANI/