
Orkestra Simfonike e rikthyer në institucion në janar të vitit 2023 pas 32 viteve në Shkodër, si aseti më i çmuar i këtij qyteti, në buxhetin e vitit 2025 “rrudhet” në 8 muaj aktivitet dhe automatikisht në zbritje të buxhetit total!
Ndërkohë që aktivitete me apo pa identitet të parashikuara në programin e kulturës për këtë vit, kanë “rrëmbyer” shifra çmendurake, Bashkia Shkodër ka menduar të sakrifikojë vetëm Orkestrën Simfonike! Ndërkohë që duhej të ndodhte krejt e kundërta!
Shkodra, si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe artistike të vendit, ka një traditë të pasur në muzikë, dhe orkestrat simfonike kanë luajtur rol kyç në këtë histori.
LEXONI EDHE: “Planet për orkestrën simfonike janë afatgjata”, reagon drejtorja e Kulturës Sara Smaja: Iu rrit paga mbi 50%
Me ekzistencën e saj, orkestra ka ndihmuar në formimin e shumë muzikantëve të rinj dhe është një institucion i rëndësishëm prej ku kanë dalë emra shumë të rëndësishëm të muzikës së kultivuar, e që sot përfaqësojnë Shqipërinë në skenat më prestigjioze të botës.
Rikthimi i saj në janar 2023 kishte si qëllim pikërisht rikthimin e vlerave të vërteta të Shkodrës dhe krijimin e një shtylle të fortë dhe të konsoliduar në qytetin e artit!
Uroj dhe shpresoj që Bashkia Shkodër të reflektojë mbi këtë vendim dhe t’i rikthejë Shkodrës Orkestrën dinjitoze që meriton! /Nga Brunilda KEÇI LLESHI, ish- përgjegjëse e Kultuës në Bashkinë Shkodër/