
Pirueta 180 gradë e një të riu 30 e pak vjeçar që deri dje militonte në radhët e PD- së, në zgëqen qeveritare të Edi Ramës krijoi mjaft reagim “social” me zëra pro e kryesisht shumë kundër. Zërat kritike flasin për “tradhëti” të trashë e oportuniste, ndërsa ata që ishin pozitivë e shikojnë këtë si një arnim që i qëndron potureve të dalë boje të kryeqeveritarit makar edhe si një mini- rifreskim i arsyes qeverisës të dalë shinash me kohë.
Është e vështirë të qëmtosh e të arrish në përfundim se cila fiton në këtë rast, kritika apo mbështetja. “Tradhëtia” apo “arsyeja, dhe fakti që i riu shtroi një natë më parë në ekran për lëvizjen e tij la në fund një shije më të hidhur se lajmi fillestar i emërimit të tij. Në fund ajo që ngeli ishte se përzgjedhja ishte bërë për nga aftësia e brilante e folurit anglisht në një kohë kur shqip flasim e vesh nuk merremi.
Lëvizja në fjalë na tregoi disa simptoma të një shoqërie në nevojë emergjente për analizë jo vetëm antropologjike. Së pari, të sqarojmë se i riu nuk la Shqipërinë për Serbinë, por opozitën potenciale për në qeveri, duke u katapultuar në qeverinë potenciale për të dalë në opozitë. “Alternativa” e të riut anoi nga pushteti makar dhe 6- mujor kryeqeveritarit sesa nga mundësia potenciale pushtetit 4- vjeçar të kryeopozitarit.
Sepse ti themi disa gjëra, që prej ditës kur i riu i mirëshkollur në shkollën anglo- saksone, ka rivënë këmbë në atdhe, tapeti i shtruar pa shumë përpjekje drejt niveleve drejtuese të PD- së nuk ka munguar. Dëshira e tij për të qenë një qënie politike nuk ka ndalur për asnjë çast, dhe koha po na tregon se kjo nuk përjashton asnjë mjet për arritur qëllimin.
Ajo që shqetëson në këtë rast është kapërcimi pa stil nga njëra degë në tjetrën si model që ngjall pak shqetësim, për muajt në vazhdim. I ngjashëm me atë të Edi Ramës në po të njëjtën moshë, kur në vitet ’90 pasi nuk gjeti sheshin e përsheshit në PD, katapultoi e u bë deri kryetar i partise rivale vite më pas.
Nëse ky është qëllimi final, koha do ta tregojë dhe do të jetë ajo që do ti japë të drejtë atij. Ama deri atëherë ne që i besojmë moralit të raportit me politikën do të rrudhim buzët e shqetësimit duke prentenduar se kapërcimi i ylberit që i trashë. Koha politike i ka njohur këto lëvizje më shumë se njëherë që nga Rama i pari, skizmat e forta brenda të djathtës që kanë shkur në prehërin e pushtetit të majtë e deri tek 6- shja e deputetëve socialistë që për një grusht të mirë eurosh votuan Bamir Topin demokrat si President në vitin 2007.
Kjo, për të qenë i drejtë e për të thënë që “kush nuk ka mëkatuar, të hedhë gurin i pari”. Ama, rasti i ditëve të fundit kërcet zhurmshëm në veshët analizes real- politikë, sepse nuk arrin të zbërthejë bindshëm qëllimin që përmendëm më sipër. I vetmi qëllim i arritur për momentin është ai i Edi Ramës që duke e trumbetuar këtë kapërcim shumë më shpejt se marrëveshja të firmoset në letër, tregoi se ajo i sherbeu propagandës së tij të ditës për të thënë që demokratët deri të afërt të Lul Bashës po zgjedhin tepsinë e Rilindjes në deklin.
Kjo është e pavërteta e madhe të cilit i riu në fjalë i dha zë krejt nxitimthi, por gjithmonë në të drejtën e tij aspak zakonore. Deri në një njoftim të dytë ajo që mund të sillte “ngushëlluese” do të ishte që i riu në fjalë të ngrihet në nivelin e Taulant Mukës, ta provojë 3 ditë kolltukun e asgjëse e më pas të bëjë “outing-un” e radhës se ky vend me Edi Ramën nuk bëhet…
P.S…për gjithçka tjetër, narrativa mbetet e njëjta: Fajin e ka Saliu! /Nga Bledian KOKA/