
Gjysma e Lezhës është kthyer në kantier ndërtimi. Nuk është më çështje bezdie apo durimi qytetar. Punimet infrastrukturore janë të nevojshme, por ajo që po përjetohet sot është pasojë e punëve të llojit hap, mbyll dhe rihap rrugë pa radhë e pa logjikë. Problemi nuk janë punimet, por fakti që ato kryhen pa planifikim, pa komunikim dhe pa asnjë respekt për jetën e përditshme të qytetarëve.
Sot qytetarët Lezhjanë kanë 0 parashikueshmëri. Rrugët bllokohen pa njoftim paraprak, prindërit zgjohen dhe zbulojnë se rruga për në shkollë apo kopsht është mbyllur, pa afat, pa harta orientuese, pa mbrojtje të orareve kritike për shkollën, kopshtin, punën apo biznesin. Jeta e përditshme është kthyer në ruletë stresi.
Bllokimi i rrugëve në oraret e kopshtit dhe shkollës nuk është i pashmangshëm, është mungesë planifikimi, pikë. Në qytete funksionale këto orare janë të panegociueshme. Policia kufizohet në bllokim mekanik të rrugëve, pa alternativa, pa informacion, pa logjikë devijimi dhe pa asnjë prioritet për prindërit.
E gjithë barra i hidhet qytetarëve! Në vend që qyteti t’u përshtatet njerëzve, njerëzit detyrohen t’i përshtaten kaosit. Me menaxhim minimal, kjo situatë mund të ishte 50-70% më pak e dhimbshme. Por pse të ketë njoftime? Pse të mbrohen rrugët e shkollave dhe kopshteve? Ç’e do komunikimin me qytetarët, kur prej tyre pret veç që të binden dhe të pranojnë gjithçka në heshtje?
Faqja zyrtare e bashkisë në rrjete sociale apo web nuk ka asnjë njoftim prej të paktën dy javësh për kaosin rrugor në qytet. Këtu kulmon fyerja qytetare sepse ata që administrojnë këtë faqe duket se mendojnë se qytetarit Lezhjan i shërben më shumë informacioni për piknikun e guidave turistike kombëtare sesa një afat i qartë dhe një hartë punimesh që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme.
Në një këndvështrim më të gjerë, kjo situatë nxjerr në pah nevojën për një reflektim kritik mbi reagimin, ose mungesën e tij, nga ana e qytetarëve. Në praktikë, në Lezhë është konsoliduar një ndarje sociale problematike – një grup “i brendshëm” me akses informal që normalizon dhe justifikon çdo vendimmarrje; një grup qytetarësh kritikë që stigmatizohen si ankesaxhinj apo sabotues; dhe një shumicë e heshtur, e pajtuar nga frika ose indiferenca. Ky konfigurim prodhon apati kolektive, dëmton besimin social dhe është i papajtueshëm me parimet bazë të qeverisjes lokale demokratike.
Problemet janë të përbashkëta për të gjithë, por reagimi qytetar nuk është dhe pikërisht kjo pabarazi është mburoja më e fortë e pushtetit. /Nga Besmira LEKAJ, publikuar në Facebook/




