
Deri në fund të ditës së sotme kur KQZ-ja të shqyrtojë aplikimet e fundit, më shumë se 17 mijë qytetarë të qarkut të Shkodrës në emigracion do të jenë regjistruar për herë të parë dhe do të kenë të drejtën për të marrë pjesë nëpërmjet votës me postë në zgjedhjet e përgjitshme të 11 majit.
Nga Italia e afërt, SHBA-të Britania e Madhe , Greqia dhe shumë shtete të tjera Evropiane, e deri në Kanada e Australi, shtrirja e diasporës shqiptare është shumë e gjerë. Gjatë thuajse 30 vitesh emigrimi shqiptarët kanë bërë shumë për t’u integruar si qytetarë dinjitozë në vendet pritëse, por pa i humbur lidhjet me Shqipërinë.
Gjatë kësaj kohe kam takuar një pjesë prej tyre dhe më ka bërë shumë përshtypje lidhja e afërt, njohja në detaje e zhvillimeve në qytetet e fshatrat në Shkodrën tonë. Kam pasur mundësi të ndaj me ta vizionin tonë për një Shkodër të zhvilluar e të begatë e pse jo një shtëpi të madhe e mikpritëse për këdo që e mendon kthimin apo mundësinë e investimit në zonën tonë. Lexova në takimet e diskutimet e panumërta entuziazmin e dyshimin, por mbi të gjtha shpresën që gjërat në Shkodër kanë filluar të lëvizin.
Unë vetë jam i bindur që Shkodra është futur në rrugë të mbarë dhe vitet në vijim do të jenë një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi për Shkodrën e gjithë Shqipërinë. Jam shumë entuziast që këtë rrugë e përgjegjësi do ta ndajmë me vëllezërit e motrat tona në diasporë që janë fort krenarë prej nga vijnë e duan shumë të shohin një vend të fortë e të zhvilluar ku edhe fëmijët e nipërit e mbesat të jenë krenarë për rrënjët e tyre. Jo vetëm për të shkuarën, por sidomos për të tashmen e të ardhmen. /Nga Benet BECI, publikuar në Facebook/