
Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, zemra më shkon te babai im, Bahri Beci njeriu që i fali gjithë jetën e tij gjuhës shqipe, fëmijëve të këtij vendi dhe dijes.
Ai ishte një nga autorët e abetares shqipe dhe anëtar i Kongresit të Drejtshkrimit, mes firmëtarëve të dokumenteve që vulosën shqipen e njësuar. Brezi im dhe shumë breza të tjerë kanë mësuar me librat që ai shkroi me aq dashuri dhe përkushtim.
Por ajo që e bën këtë kujtim kaq të ndjerë për mua nuk është vetëm kontributi i tij publik është ajo që kam parë me sytë e mi gjithë jetën:
Babain tim të ulur mbi tavolinën e punës, me dorëshkrimet e shpërndara, me lapsin në dorë, me qetësinë e njeriut që punon për një kauzë më të madhe se vetja.
E kam parë të punojë netëve, të rikthehet te faqet e njëjta dhjetëra herë, të kërkojë fjalën më të saktë, më të bukur, më të pastër për fëmijët e Shqipërisë.
Abetarja është libri i parë i çdo fëmije, por për mua ka qenë edhe dritarja nga e cila kam parë sa shumë dashuri mund të vendosë një njeri në punën e tij.
Sot, e kujtoj me një ndjenjë të thellë krenarie, mirënjohjeje dhe mallëngjimi. Për të gjitha librat, për të gjitha fjalët, për të gjitha netët e punës. Për gjurmën që la në arsim dhe në gjuhën tonë. Trashëgimia e tij jeton në librat që rritën brezat dhe në zemrat tona. /Nga Benet BECI, publikuar në Facebook/




