Nga banor i Jetimores në Shkodër, shqiptari i parë me medalje të artë në Kembrixh u dënua me vdekje nga Hoxha…

Rexh Meta (1906-1985), nga një banor i jetimores së Shkodrës, bëhet shqiptari i parë që diplomohet me medalje të artë në Universitetin e Kembrixhit. Kjo falë fatit, aftësive të tij dhe shoqërimit që ai i bën gazetares amerikane më të paguar në botë, gjatë periudhës së pas-Luftës së Parë Botërore, Rose Wilder Lane. Rexh Meta dënohet me vdekje nga Enver Hoxha. Por, gazetarja, shkrimtarja dhe antropologia Rose Wilder Lane, sapo e mëson këtë fakt, ndërhyn gjer te presidenti i SHBA-ve për t’ia shpëtuar jetën atij.

Enver Hoxha pranon t’ia falë jetën Metës, por me kusht që Rose Wilder Lane, që kishte një prestigj dhe influencë të jashtëzakonshme në mbarë botën, të mos fliste kundër regjimit komunist në Shqipëri. Lane e pranon kushtin e, për rrjedhojë, Rexh Metës i falet jeta. Por, ai mbahet në burg për shumë vite e më pas në internim, derisa vdes diku në afërsi të Tiranës. Po kush ishte Rexh Meta? Babai i Rexhës, Metë Fazlia, bashkë me disa familjarë të tjerë, në vitin 1913 largohet nga Vuthajt për të shpëtuar familjen nga gjenocidi që u bëhej shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga forcat malazeze. Pasi shkojnë për disa vite në Kosovë, në vitin 1919, Metë Fazlia me djalin, Rexhën dhe dy vajzat, Gjykën dhe Zojën, kthehen dhe jetojnë në Shkodër.

Aty, Metë Fasllia dhe gruaja e tij vdesin, kështu që Rexha dhe dy motrat e tij strehohen në jetimoren e Shkodrës, që varej nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Rexha aty nis shkollimin dhe mëson në mënyrë të shkëlqyer gjuhën angleze. Që 12 vjeç fillon të shoqërojë ekspeditat anglo-amerikane në Veri të Shqipërisë si përkthyes. Por, ekspedita që i ndryshoi jetën këtij djaloshi, ishte ajo që udhëhiqej nga Rose Wilder Lane. Ajo u kujdes për të (disa burime thonë se ajo e birësoi Rexhën) dhe i siguroi bursën për në shkollën teknike “Harry Fultz” në Tiranë. Lane e dërgoi Rexhë Metën më pas në Universitetin e Kembrixhit në Angli, në Fakultetin e Financave, të cilin Rexh Meta e kreu me sukses duke mbrojtur në vitin 1937 edhe temën e doktoraturës në lëmin e ekonomisë financiare. Në Librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit gjendet edhe emri i shqiptarit Rexhë Meta. Më 1938-n ai kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si drejtor i Drejtorisë së Financave të Shqipërisë.

vjet me pas internohet në Itali, ku qëndron deri më 1943-shin. Në verën e vitit 1943 kthehet në Shqipëri dhe në shtator të po këtij viti ai merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si një nga 45 përfaqësuesit e kësaj lidhjeje, përkrah figurave të tilla, si: Ismet Boletini, Xhafer Deva, Shaban Polluzha, Rexhep Mitrovica, Marie Kraja e shumë patriotë të tjerë.

Menjëherë pas Luftës, Rexh Meta arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri dhe dënohet me vdekje. Ai e kreu dënimin në qelitë e Burgut të Burrelit. Familja e Rexhës, gruaja Pertefi, djali Fitimi dhe vajza Bora, përjetuan vuajtje, persekutim dhe mjerim ekstrem. Rexh Meta vdiq afër Tiranës në vitin 1985 (vit në të cilin vdiq dhe Enver Hoxha). Trupi i tij u varros në Shkodër. Nuk e di nëse dikush është kujtuar ta vlerësojë apo dekorojë këtë figurë kaq të madhe. Nuk e di nëse dikush është kujtuar të shkojë tek i biri, nipi apo dikush që jeton prej familjes së tij për të shfletuar dorëshkrimet e tij. Sikur asgjë të mos ketë bërë Rexh Meta në jetë, veç fakti se ai ishte shqiptari i parë që është diplomuar në Kembrixh me medalje të artë, ai e meriton një shtatore në Tiranë.

Për më tepër, të mos harrojmë se ai ka shoqëruar një nga gazetaret më në zë të botës për kohën që ajo jetoi, Rose Wilder Lane, e cila ka bërë për Shqipërinë më shumë se shumë e shumë shtetarë shqiptarë. Jeta e Rexhë Metës meriton të shkruhet. Ashtu siç e meriton të rivlerësohet dhe vihet në piedestalin shqiptar që meriton Rose Wilder Lane. Mendoj se Ministria e Kulturës bën më mirë të akordojë fonde për libra e dokumentarë rreth këtyre figurave të ndritura të historisë së Shqipërisë, sesa për ca programe televizive, libra apo aktivitete surrogate, të cilat nuk po i përmend me emër pasi nuk kam asnjë dëshirë apo nevojë të bëj armiq. /Nga Ndrek GJINI/