Skip to content
11 June, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

NGA ARTAN FUGA – Përse Partia Demokratike edhe organizon zgjedhje edhe nuk do zgjedhje…?

ShkodraWeb 8 May, 2026
berisha fuga 2026

(Skizofrenia e një procedure)

Ka një zhurmë të tmerrshme mediatike për procedurën e ashtuquajtur të zgjedhjes së kryetarit të PD.

Ka media që çdo kandidat që del e ngre në qiell, ndërkohë që jo të gjithë janë automatikisht të tillë. Tjetër është e drejta për të kandiduar, tjetër është performanca e kandidatëve. Ndërkaq lidershipi i PD ka hyrë në një vorbull frike dhe aankthi sikur çdo kandidaturë do ta rivalizojë fort me vota kryetarin tradicional të partisë.

Kështu e sjell ngurtësimi i dinamikave në lidership dhe këtu nuk e kam fjalën për kryetarin, thjesht, por edhe për kryesinë, deputetët, etj. Pse ky ankth? Jo sepse personalisht mund ta rivalizojnë doktor Berishën, por sepse baza e partisë duke dashur sa më shumë liri, duke parë se ka sforcim për të penguar kandidaturat rivale, duke qenë në pakënaqësi të thellë për statusin e vet opozitar përballë deputetëve “pashallarë” dhe “pashallare” që me disa vargje në foltoren e Kuvendit ja çojnë dyst jetën, sikur të ishin deputetë të kohës së monizmit, mund t’i japin vota dhe një njeriu prej kashte. Thjesht për të sfiduar lidershipin. Të humbur që të humbur – thonë – jemi. Hajde bëjmë një gjest!

Kandidatura prej kashte ose byku që mund të vihet mund të marrë edhe 30 përqind të votave. Pra, nuk ndryshon gjë në drejtim, por krijon një shqetësim. Ky 30 përqindsh pastaj do të kërkojë përfaqësim dhe partia do të jetë e detyruar të njohë fraksionet, çka e çon në brigje të rrezikshme shkëmborë që me kulturën që ka nuk e përballon dot.

Pasi i thamë të gjitha këto, vemë gishtin te pika manipuluese që sjell vërdallë me manipulime të gjithë opinionin publik. Ja pyetja që njeriu me tru në kokë, ose që nuk është maskara duhet të bëjë: Po pse vetëm PD nuk bën dot zgjedhje? Pse vetëm Sali Berisha nuk do kandidatura përballë tij?

A nuk e përjashtoi postin e kryetarit nga procesi zgjedhor Partia Socialiste, duke thënë se gjoja një kryeministër nuk votohet dot kur është fjala për postin e kryetarit të partisë? Qesharak si argument, por u përdor nga spinofistët e PS dhe mirë a keq u gëlltit dhe u harrua.

Pa shihni një çikë këto partitë e vogla të vjetra, 40 vjeçare, dhe të reja, a bëjnë vërtet zgjedhje për kryetarët? Kemi kryetarë që qendrojnë prej disa dekadash në krye. Një Zot e di se çfarë votohet aty. Po në shoqata jo fitimprurëse, gjoja shoqërinë civile, a bëhen zgjedhje për kryetarë dhe kryetare? Për këto dhe këta pra që kërkojnë zgjedhje në PD, a bëjnë zgjedhje te OJF e tyre apo i kanë si fabrika prodhimi parash që i përvetësojnë pa matur asnjë kontribut në shoqëri?

Pra, mos i kërkoni PD të bëjë atë që shoqëria shqiptare nuk e ka akoma kulturë që ta bëjë. I duket qameti. Udhëheqësi në Shqipëri riprodhon pa qenë sigurisht imazhin e Zotit, të prijësit, të bajraktarit.

Në PD si duket mendohet: Ne duan të na e hedhin këta maskarenj? Ata vetë nuk e kanë kulturën e zgjedhjes, kurse ne na e kërkojnë! Hipni këtu dhe shihni Stambollin!

Por këtu fillon edhe drama dhe tragjedia e demokracisë shqiptare.

Prej këtyre mentaliteteve ne kemi klasën politike më të vjetër në Evropë, ndoshta në botë. Zgjedhjet te ne kur nuk ka pasur humbës t’i ketë pranuar me ndonjë përjashtim kontekstual dhe rastësor. Kjo është arësyeja që ne kemi klasën më të pasur politike në botë, në krahasim me gjendjen financiare të qytetarëve.

Vazhdojmë me dramën tragjike. Pikërisht PD duke mos e ngrënë “koqen e ullirit” që i propozojnë, bën atë që është gangrena e saj. Me fjalë është kundër PS, kurse si kulturë, procedura, organizim, mentalitet, opozita dhe pushteti janë njësoj. Ju nuk e zgjidhni kryetarin as ne nuk e zgjedhim. Shumë pragmatiste, duartrokitje miq e shokë! Por, ju jeni njësoj si ata në këtë pikë! Ky është mesazhi që jepni.

Sociologjikisht, ajo që ve re është se kandidaturat e dala dhe që “kërkojnë formularin”, vijnë nga askurkundi. Në ç’kuptim që të mos i fus të gjitha në një torbë! Dmth ose janë të panjohura për publikun, ose nuk vijnë nga radhët e eluitës drejtuese të partisë, ose kanë humbur gjithçka si status politik dhe tani luajnë “të gjitha për të gjitha”. Sjellje tepër racionale nga ana e tyre, por në plani etik dhe parimor ka sigurisht shumë ujë në varkë!

Do të prisja nga radhët e deputetëve të PD ose nga ata që janë në kryesi, a në Këshill të kandidaonin. Do të ishte e natyrshme. Do të prisja të paktën të shpreheshin për çështjen kaq serioze që gërryen. Por, ata nuk ndihen. Nuk duan alternativë. Nuk prishin ujërat e ndejtura. E kam gabim? Hë pra ku janë? Por, kur duhej një kandidat për kryetar të Bashkisë në Tiranë a në qytete të tjera ku ishin? Strukën kokën në mënyrë të turpshme, askush nuk doli, aq sa partia nuk gjente dot kandidat.

Ata s’flasin sepse një shumicë e tyre kanë kalë beteje pikërisht heshtjen. Heshtje ju ka sjellë statuse, parà, benefice, privilegje, prandaj vegjetojnë në kurriz të elektoratit. Problemi nuk është te Sali Berisha, por te një lidership, i cili pranon statukuonë, humbjen, statusin monopol të gjoja opozitarit, në shkëmbim të privilegjeve. Ta shihni se çfarë do thonë për doktorin, këta njerëz pas disa viteve! Ata fshihen sot pas tij. Heshtin! Askush nuk i nget. Heshtin!

Në fund, ajo që kam thënë gjithmonë! Zgjedhja e kryetarit drejtpërdrejt nga baza e partisë që e kanë të gjitha partitë nuk është një mekanizëm demokratik sikurse na e shesin. Absolutisht jo! Është logjika e “Fyhrerit” që anashkalon strukturat. Si PS edhe PD paguajnë haraçin e zgjedhjes së liderit n9ga turma e paidentifikuar!

Gabimi i PD është edhe taktik. Kur s’do dhe nuk bën dot zgjedhje, si edhe të tjerët, përse i hyn kot këtij procesi diskreditues?! Thuaj që kryetari është tradita dhe shtylla e Partisë, sa kohë doktor Berisha është aktiv, dhe me kaq e mbyll çështjen! Shumë më mirë se të hysh në një skizofreni shkatërruese, që edhe thua se bën zgjedhje edhe nuk do zgjedhje! /Nga Artan FUGA, publikuar në Facebook/

Post navigation

Previous: VIDEO – Sezoni turistik, Ujësjellës- Kanalizime Shkodër përmirëson rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza
Next: “Prova gjenerale” për Superioren, Alban Xhaferi ngre lart trofeun e kampionit të Vllaznia B në të Tretën

TË FUNDIT

protesta lidert politike mbeshtetes

OPINION – Protesta fitoi dimensionin politik, opozita u bashkua, tashmë koha për zgjedhje të parakohëshme…

ShkodraWeb 10 June, 2026
stacioni policia velipoje

EMRI – Sherri në Velipojë ku u qëllua me armë zjarri, arrestohet pas dy ditësh i riu, ishte në kërkim…

ShkodraWeb 10 June, 2026
votim kosove 2026

Numërohet me shumë se gjysma e vendvotimeve, ja kush janë politikanët më të votuar në Kosovë…

ShkodraWeb 10 June, 2026

TË FUNDIT

  • OPINION – Protesta fitoi dimensionin politik, opozita u bashkua, tashmë koha për zgjedhje të parakohëshme… 10 June, 2026
  • DEKLARATA – Konflikti mes sekretares së tij dhe një studenteje, reagon Fakulteti i Drejtësisë i UNISHK 10 June, 2026
  • EMRI – Sherri në Velipojë ku u qëllua me armë zjarri, arrestohet pas dy ditësh i riu, ishte në kërkim… 10 June, 2026
  • Numërohet me shumë se gjysma e vendvotimeve, ja kush janë politikanët më të votuar në Kosovë… 10 June, 2026
  • Kombëtarja e vajzave e Armir Grimës takim me historinë, kualifikohet në play- off të Botërorit 2027 10 June, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e mërkurë, 10 qershor 2026… 10 June, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e mërkurë, 10 qershor 2026… 10 June, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e mërkurë, 10 qershor 2026… 10 June, 2026
  • EMRAT – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skender Hita pezullon shefin e komisariatit të Shkodrës dhe 2 vartës 9 June, 2026
  • ANALIZA – Protestat në përmbushje të “qëllimi justifikon mjetin” apo diçka që nuk do zbulohet kurrë… 9 June, 2026
  • Botërori gjigand me fitime kolosale, shqetësuese çështja e Iranit, çmimet e biletave, hetimi për FIFA-n dhe rrufetë 9 June, 2026
  • “Të dëgjohet zëri i njerëzve”, Kisha Katolike reagon për protestat: Të gjenden zgjidhje politike brenda kornizave demokratike 9 June, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

protesta lidert politike mbeshtetes

OPINION – Protesta fitoi dimensionin politik, opozita u bashkua, tashmë koha për zgjedhje të parakohëshme…

ShkodraWeb 10 June, 2026
fakulteti juridik sekretarja deklarate

DEKLARATA – Konflikti mes sekretares së tij dhe një studenteje, reagon Fakulteti i Drejtësisë i UNISHK

ShkodraWeb 10 June, 2026
stacioni policia velipoje

EMRI – Sherri në Velipojë ku u qëllua me armë zjarri, arrestohet pas dy ditësh i riu, ishte në kërkim…

ShkodraWeb 10 June, 2026
votim kosove 2026

Numërohet me shumë se gjysma e vendvotimeve, ja kush janë politikanët më të votuar në Kosovë…

ShkodraWeb 10 June, 2026
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2026 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.