
Ata që janë pesëdhjetë e përpjetë e mbajnë mend se aty ku sot kalon unaza e re në breg të liqenit, deri para disa dekadash, në stinën e verës, shiheshin dy ura gurit, njena e njohtun si Ura e Kallavrades, që me sa duket asht toponim bizantin (ashtu si Ajasëm që dmth. Uji i Bekuem) e ka kuptimin “aty ku ban uji vorbull”.
Harta e Ndërkombëtarëve e vitit 1913 tregon në krye të urës së parë nji dyqan kasapi, ndërsa harta e Jezuitëve e vitit 1923 aty shenjon fillimin e “Udhës së Dukagjinit” që prej Pazarit kalonte në lagjen Shabanej (Xhamia e Shaban Efendisë) e përfundonte në Tophanë.
Jo shumë larg prej Urës së Kallavrades ishte edhe Shtëpia e Mushkajës, ndërtue në vitet ’30 me fondet Rockefeller për me luftue malarjen e në kohna të vona përdorej me lanë veglat e Ndërmarrjes Komunale për dezinfektimin e kanaleve të shumta të qytetit.
Tashma shumë objekte nuk ekzistojnë ma e përditë e ma shumë kujtesa e qytetit zhbahet. Jo vetëm objekte dytësore si ato të masipërmet por edhe shumë prej gjymtyrëve të dikurshme të qytetit po zhduken përditë tue na ba me e bjerrë kujtesën historike.
Sigurisht jo gjithçka, por ndonji gja kishte mujtë edhe me u ruejt, pse asht shenj qytetnimit me e ruejt traditën e kalueme! /Publikuar në Facebook nga Ardian NDRECA/