NGA ARDIAN NDRECA – Pashë je ba por njeri s’je ba…

Sesi m’u kujtue këto ditë nji copë e lexueme në nji përmbledhje të moçme folklorit, e cila diftonte për nji prind të lodhun prej nji fëmije mbrapshtan (kryesandall thotë Fishta), nji zgaq batall që ia kishte pru shpirtin në maje të hundës babës së vet e ky nji ditë i pezmatuem i tha: ti mor bir s’ke me u ba njeri kurrë!

Mbas do vjetësh batalli shkoi në Stamboll e u ba pashë e atëherë çoi njerzit e vet me shkue e me marrë të lidhun mbas kalit të jatin e me ia sjellë te kambët.


Dikur plaku mbërrini, tue dhanë shpirt prej mundit dhe i biri iu drejtue me kreninë e batallit: – A e sheh se çka jam ba, jam ba pashë e kam mexhide e pushtet, kurse ti dikur me thojshe se s’kam me u ba njeri kurrë!

E i jati iu soll:

-Pashë je ba por njeri nuk je ba, pse të kishe vue mend e të ishe ba njeri, babën tand e kishe sjellë në Stamboll me karrocë, me sajdi e jo tue u zhgrra nëpër pluhun, prandaj kur t’i kam thanë ato fjalë kam pasë plotsisht të drejtë.  /Nga Ardian NDRECA, publikuar në Facebook/