
Paradoksi ynë asht se në Shqipni nuk shembet e vjetra por e reja. Shemben e i merr lumi rrugët e reja, urat e reja, ndërtimet e reja. Krymi i korrupsionit bren çdo lloj hekuri e betoni. E vetmja gja që s’shembet asht e gjithë kjo klasë politike.
Gjuha e ndërtimeve ka qenë ajo e përfitimit dhe jo e sigurisë dhe e dobisë, madje s’ka qenë as gjuha funksionale; sa për identitet apo largpamësi zhvillimi as që mund të flitet.
Projektet – kryesisht të hueja e të miratueme nga lideri suprem i gjithëdijshëm – mbajnë vulën e autoreferencializmit, mjaft me kujtue projektin e kullës në qendër të Shkodrës, nji ngrehinë manieriste që përban nji tallje me qytetin dhe me krejt territorin.
Gjithçka që i vjen era qytet tek ne frymon në kushte mbijetese, volumi i betonit i rritun me tharme paresh të dyshimta asht mohimi i hapsinës urbane. Nji qytet pa identitet asht nji qytet i brishtë, historia nuk pasunohet me arna, sado të reja të jenë ato, por me logjikë zhvillimi që tregon respekt ndaj territorit, ndaj së kaluemes, që ka nji ide të qartë politike për të ardhmen.
Ndërtimet tek ne janë si nji kaleidoskop ku sheh gjithçka por nuk ka asnji substancë, ku gjithkush që kalon andejpari me nji diplomë arkitekti në xhep ven nji firmë, paraqet nji projekt, përmjerr diçka… pa krijue kushtet për nji bashkësi të re qytetare.
Do të duhej organizue nji referendum për me bllokue shkatrrimin e hapsinës publike, me zhba vendimet e padrejta që vetë përfituesit i marrin nepërmjet organizmash politike me profil antikushtetues. /Nga Ardian NDRECA/
VIDEO E DITËS | Punonjësi i policisë private “Breçani Security” godet me grusht protestuesin në Baks- Rrjoll të Velipojës




