
Që 40-vjet ma parë të ketë vdekë nji diktator sot do të ishte nji lajm pozitiv vetëm nëse mbeturinat e tija ta kishin bjerrë kuptimësinë e tyne helmuese në gjinin e politikës e të shoqnisë shqiptare, përndryshe çdo përmendje e figurës së tij kthehet në nji evokim indirekt, sidomos nëpërmjet humanizimit dhe gentrifikimit (gentrification) të vendeve ku ai ka jetue dhe punue. Do të isha kureshtar me pyet ndonji hebre nëse do t’i kishte dërgue fëmijët apo nipat me kalue kohën e lirë në Berchtesgaden, apo ndonji artist hebre nëse do të kishte ekspozue veprat e tija në dhomën e gjumit ku shihte andrrat e tija Hitleri!
Shtëpinë e Luigj Gurakuqit, Kafen e Madhe, duzina objektesh arkitektonike që evokojnë figura historike pozitive i kemi shkatrrue në këto tri dekada, e shumë të tjera janë drejt atij fundi.
Ka mbetë tashti që arti dhe artistat e rinj të shkojnë me gjetë frymzim e me u shprehë aty ku dy kukutha për dekada kanë mbytë në embrion çdo shpresë të shqiptarëve!
Asht pak e vështirë që Vila 31 të bahet shkas për me zbulue ndonji Vangjush Mio, Kolë Idromeno, Abdurrahim Buzë apo Sadik Kacel të ri, ka ma shumë mundësi që nostalgjikët e asaj kohë të shkojnë në pelegrinazh atje për me u ulë në poltronin ku ulej monstra kur firmoste dënimet me vdekje apo kurdiste vrasjet e shokëve e vet. /Nga Ardian NDRECA, publikuar në Facebook/