
Protesta, ashtu siç po zhvillohet, ka arritur një fitore. Por ajo është fitore simbolike. Ka treguar se qytetarët mund të dalin masivisht, mund të bëhen bashkë, mund të mbushin sheshin me dinjitet. Ky është një lajm i bukur për vendin. Nëse simboli nuk merr formë për ta detyruar pushtetin, atëherë ai do venitet vetvetiu, si zjarr që digjet pa dru të reja.
Këtu qëndron çelësi i gjithë analizës dhe propozimeve të mia: si ta bëjmë protestën të suksesshme përtej fitores simbolike?
Së pari, protesta duhet të përqendrohet tek kërkesa politike të qarta dhe të arritshme. “Rama në burg” nuk mund të jetë kërkesë e protestës, sepse nuk e ka në dorë protesta. Pas njëzet ditësh, nuk shërben të vazhdohet me thirrje që nuk varen nga vetë protesta.
Këtu gjendet thelbi i kthimit të protestës në rrafshin politik: protesta mund të rrisë trysninë që Rama të largohet nga qeveria, dhe këtë duhet të bëjë. Por duke mbajtur ndër mend një të vërtetë të thjeshtë: edhe nëse jep dorëheqjen dhe shpërndan Kuvendin, askush nuk e detyron dot të mos rikandidojë në zgjedhjet që pasojnë. Kërkesa duhet të jetë armë, jo dëshirë.
Së dyti, duhet të përqendrohemi tek gjërat që i bëjnë protestuesit bashkë, jo tek ato që i ndajnë. Sot njerëzit bëhen bashkë kundër diçkaje dhe kjo është natyra e protestës. Protesta është mjet, dhe është mjet kundërshtues.
Të bëhesh bashkë kundër diçkaje nuk është premtim për të qenë bashkë në të ardhmen. Sot emëruesi i vetëm i përbashkët i njëqind për qind të protestuesve është Edi Rama. Nuk ka dyshim që janë kundër tij. Kjo nuk do të thotë se të gjithë janë për dorëheqjen e tij, por në një formë ose në një tjetër, të gjithë janë kundër tij. Ky emërues duhet ruajtur si gjëja më e çmuar e protestës, jo holluar me kërkesa që ndajnë.
Së treti, në këtë fazë është jetësore të mos trajtohen aspektet ndërtuese. Sepse ato ndajnë. Shoh fjalime që mundohen të flasin për Shqipërinë që do të pasojë, për vendin që duam të ndërtojmë. Nuk është momenti. Shqipëria e nesërme nuk gjendet dot në mes të një proteste dhe çdo përpjekje për ta gjetur tani do të prodhojë ndarje aty ku duhet bashkim. Vizioni ndërtohet pas fitores, jo në vend të saj.
Së katërti, dhe e kam trajtuar edhe më parë: që pushteti të detyrohet të ndryshojë, duhet ushtruar mbi të një trysni. Politika njeh vetëm raportet e forcës. Trysnia bëhet duke bllokuar ose veprimtarinë ekonomike të vendit, ose ushtrimin e detyrave të shtetit.
Sado e bukur të jetë protesta, ajo po tregon kufijtë e peshës simbolike mbi pushtetin. Simbolika vlen kur zgjedhjet e përgjithshme janë afër, sepse atëherë pushteti ka frikë por sot zgjedhjet janë larg. Regjimi beson se do ta menaxhojë situatën dhe do ketë kohë ta kthejë në avantazhin e vet.
Duke dalë në protestë pas pune, në formë festive (e rëndësishme në fillim, jo tani) pa bllokuar ekonominë, protestuesit nuk bëhen faktor bllokues. Bile, ndaj tyre nuk thuhet ajo që thuhej dikur ndaj PD: “një xhiro nga bulevardi dhe në shtëpi”. Protestat që detyrojnë bëhen me bllokime, me greva, me qëndresë që kushton.
Së pesti, nuk duhet vetëm trysni, por edhe përshkallëzim. Sot protesta si masë kontrollon axhendën dhe ritmin e politikës, Rama është në ndjekje si rrallëherë. Por ritmi duhet të ketë variacione, përndryshe përfundon në stanjacion.
Një valë që përsërit gjithmonë të njëjtën lartësi pushon së qeni valë dhe bëhet sipërfaqe e qetë. Duhet ndryshuar ritmi, që Ramës të mos i lejohet të përshtatet. Kjo kërkon të mos shkohet “all in”, por me lëvizje të matura, me rritje intensiteti, me ndryshim forme në momentin e duhur.
Së gjashti, e kam shkruar dhe e ripërsëris: pa mishërim, ideja mbetet vetëm në botën abstrakte të ideve. Por mishërimi është diçka delikate, sepse e dimë që mund të largojë njerëz nga protesta. Sot suksesi i protestës është pikërisht se nuk ka fytyrë, gjithsecili sheh në të fytyrën që dëshiron të shohë.
Por kjo është njëkohësisht edhe kufiri i saj, edhe rreziku i saj, sepse mund të përdoret nga regjimi për ta ndarë. Partitë politike kanë bërë një hap pas, duke marrë pjesë në protestë pa dëshirën për ta përvetësuar. Është lënë një fushë që ende nuk po merret nga askush.
Dhe kjo nuk është problem në vetveten, rëndësi ka që emëruesi i përbashkët, Rama, të ikë. Por idetë e mësipërme duhet patjetër të koordinohen, përndryshe energjia më e madhe qytetare e viteve të fundit do shpërndahet pa lënë gjurmë.
Protesta sot mban në duar diçka të rrallë dhe të çmuar. Por ajo që mbahet pa u shtrënguar, rrëshqet. Fitorja simbolike është dera, jo shtëpia. Hyrja varet nga ne. /Nga Andi MUSTAFAJ, publikuar në Facebook/




