NGA ANDI BUSHATI – Rama po vjedh valën sovraniste që ngriti Berisha…

Paradoksalisht, fundi i kalvarit të hapjes së negociatave po e gjen kryeministrin e Shqipërisë në pozicionet e veta më ekstreme si sovranist dhe me arsenalin më të madh të kritikave për BE dhe vendet e Evropës perendimore. Pak ditë më parë, në diskutimin e hapur për amnistinë fiskale, Edi Rama mbajti një nga fjalimet e tij më të ashpra, ku u vërejtën deri dhe nuanca ksenofobie. Ai i fryu urrejtjes për ata të huaj që na trajtojnë si njerëz me bisht dhe që i konsiderojnë shqiptarët si budallenj. Ai shkoi deri aty sa të kujtonte përpara diplomatëve të pranishëm në takim, se gjendej në krye të vendit, për të siguruar që qeveria e Shqipërisë do të trajtohej me respekt, duke lënë të kuptohet se ka kaluar koha e fillim viteve ’90, kur emigrantët shqiptarë denigroheshin si kafshë në porte e aeroporte.

Ky kurs i ri sovranist – fjalë të cilën kryeministri nuk harroi ta përmendte- erdhi direkt pas kërcënimit për të bojkotuar samitin e vendeve të BE-së me Ballkanin perendimor dhe kritikave, ironisë dhe sarkazmës që ai përdori për vendet e 27-shes në krah të presidentit serb Vuçiç.


Pra, prej disa javësh duket sheshit se ka një ndryshim të dukshëm fjalori dhe qasjeje ndaj atyre që ne jemi mësuar ti konsiderojmë, gjatë këtyre 30 viteve, si aleatët tanë të mëdhenj në rrugën e zhvillimit të Shqipërisë.

Le të jemi të qartë, Edi Rama as ka ndryshuar filozofi, as po përshtatet me realitetin aktual të vendit. Ai mund të shndërrohet edhe në sovranist edhe në kozmopolit edhe në nacionalist edhe në liberal, edhe në në fshikullues të kandidatit Trump edhe në lake që rend pas presidentit të radhës, sipas nevojave të pushtetit të tij. Ai sot ka grumbulluar aq shumë fuqi dhe e ka dërmuar gati në mënyrë të pakthyeshme rendin demokratik, sa si hyn gjemb në këmbë edhe po tu’a përplasë në fytyrë politikanëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, kur ata i bëhen pengesë për projektet e veta të pastrimit të parave, legalizimit të kanabisit, Open Balkan-it e me radhë.

Por, në të gjithë këtë panoramë, interesante është të shihet se autokrati në pushtet po di të përfitojë nga vala sovraniste që ndezën me zor dhe me mundim, prej një viti, pjesa më radikale e kundërshtarëve të tij. Dallga e saj nisi pas shpalljes së lobuar fort dhe më qëllim përçarjen e opozitës, që shkaktoi diplomacia amerikane me non-grata ndaj Berishës. Pas kësaj, për herë të parë dhe pa druajtje në mjedisin tonë publik u ngritën pyetjet se a duhet ti besojmë verbërisht një arbitri të paanshëm “amerikan”? A duhet të përçmojmë votën e të zgjedhurve nga shqiptarët, vetëm se ky udhëzim vjen nga Uashingtoni? A duhet të suprimojmë demokracinë kur ‘këshillojnë’ ambasadorët?

Që prej majit 2021, raporti ynë i nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve, rrefuzimi për ti’u bindur çdo trilli të tyre, fundi i fetishit për ata të huaj që punojnë “ndershmërisht” vetëm për të mirën tonë, u shndërrua në temën e debateve të mbremjes në TV dhe në atë të kafeneve të humbura të provincës.

Të gjitha këtyre dilemave ideologët, gazetarët dhe përkrahësit publikë të kryeministrit i përgjigjeshin me slloganet se Shqipëria është një vend që e ka dorëzuar sovranitetin në këmbim të një të ardhmeje më të ndritur, se ne nuk kemi luksin të mos u bindemi partnerëve tanë strategjikë, se Shqipëria nuk mund të kthehet në të shkuarën hoxhiste të të qenit fanar ndriçues për botën.

Por e bukura qëndron në faktin se kryerilindasi dëshmoi edhe njëherë se ai është më i zoti dhe më i paskrupullt se të gjithë servilët e tij të marrë sëbashku. Ai i hodhi i pari në kosh këto argumenta me kthesën e fundit sovraniste. Ai sot po kalëron mbi tabunë që zhvirgjëroi Sali Berisha dhe po përdor të njëjtat argumenta që u thanë pas shpalljes non grata. Madje Rama e ka shpënë më në ekstrem slloganin e lierit të PD-së, që thoshte se nuk tërhiqem nga gara me urdhër diplomatësh, kur më voton partia ime, duke e transformuar: “Ç’më duhet mua për BE-në, kur e kam marrë miratimin nga Këshillimi Kombëtar me popullin”.

Ashtu siç ka ndodhur edhe me rrugët e autostradat ai po ecën në trasenë e shtruar nga i pari. Ai e gjeti të dërrmuar mitin 30 vjeçar të anti sovranistit dhe tani e ka të gatshëm për ta përdorur kur i duhet.

Por këtu, fatkeqësisht, nuk është as vetëm merita e tij për pirueta të befta dhe as ajo e Berishës për të zhvilluar beteja bajlozësh. Në këtë pikë faji është edhe i atyre ndërkombëtarëve që e trajtojnë këtë vend si republikë bananesh. Janë gafat, padrejtësia e lobuar dhe shpesh arroganca e përsëritur deri në gomarllëk, që i jep mundësinë sundimtarit të radhës të përfitojë nga diskreditimi i figurës se tyre. Këtë po bën Edi Rama sot duke vjedhur, aq sa i duhet, nga fryma sovraniste që nxiti goditja amerikane ndaj Berishës. /Nga Andi BUSHATI/