NGA ANDI BUSHATI – Me poture ulur nderojmë sulltanin…

Edi Rama i është rikthyer një manipulimi që e ka perfeksionuar deri në detaje: atij që tenton të hiperbolizojë një çikërimë qesharake, duke lënë në hije një të vërtetë të madhe. Këtë ka mëtuar të bëjë edhe pas vizitës së fundit të presidentit turk Erdogan dhe neverisë që ngjallën skenat e vasalitetit në sytë e shumë shqiptarëve.

Ai është kapur vetëm me një polemikë, atë të përkimit të vizitës së sulltanit të ri me datën e vdekjes së Gjergj Kastriotit.


Në një tekst drejtuar kritikëve të tij Rama u tall me ata që e interpretojnë historinë e sotme përmes heshtave dhe shpatave të dikurshme. Ai ironizoi se nuk ka asnjë lidhje mes republikës moderne turke dhe rethimeve të Krujës, mes një vendi aleat në Nato dhe luftrave të Gjergj Kastriotit kundër otomanëve, pesë shekuj më parë.

Në fakt, e vërteta është krejt tjetër. Që prej dy dekadash, kur AKP-ja islamo-konservatore e Erdoganit mori pushtetin, nostalgjia për fitoret e 39 sulltanëve me radhë, përfshirë këtu edhet ato në Ballkan, është bërë një konstante e politikës së re turke. Nuk ka studiues serioz sot që nuk flet për neo-otomanizmin si për një pushtet të butë, që autokrati i Ankarasë po përpiqet të instalojë në tokat e zaptuara dikur nga paraardhësit e tij. Me insistim, vetë Erdogan, gjatë një përvjetori të vdekjes së Ataturkut në 2016, këmbënguli se historia e Turqisë nuk ishte vetëm 90 vjeçare, por shekullore dhe se duheshin korigjuar të gjithë librat shkollorë që bazoheshin tek ky gabim.

Pra, pavarësisht se çfarë ushqimi për budallnj reket ti servirë kryeministri ynë popullit të vet, Erdogani e ka të lidhur fort ideologjinë e tij me betejat, rrethimet, dhe heshtat e periudhës osmane.

Këtë Edi Rama e di më mirë se kushdo tjetër.

Ai ishte vetë dëshmitar, në korikun e pesë viteve më parë kur Raisi turk i shërbeu si shofer, në inagrurimin e urës Osman Gazi, e cila u kurorëzua me emrin e themeluesit të dinastisë osmane. Ai e pa me sytë e tij se si, gjatë kësaj ceremonie, u përshëndet nga ushtarët e veshur me uniformat e meherëve, rojeve tradicionalë që ngrinin çadrat e betejave për sulltanët.

Edhe nëse nuk ka qenë dëshmitar, kryeministri ynë me siguri e ka lexuar se, kur u betua për herë të parë si president, Erdogani shkoi të përkulej në xhaminë Ejup Sulejman, në bririn e artë, aty ku të njëjtën gjë e bënin sulltanët e dikurshëm.

Ai e di se sa popmpozitet ka fituar rënia e Kostandinopojës – ose pushtimi i saj sipas disave-, që kur në Anadoll komandon “vëllau i tij”. Ai me siguri e ka lexuar se ç’ndodhi së fundi me Shën Sofinë, të cilën në 1934-ën, Ataturku, vendosi ti’a “dhurojë njerzimit”, por që në emër të së “drejtës së shpatës osmane”, islamo-konservatorët e rikthyen në xhami për të përkujtuar pushtimin e madh të qytetit të shenjtë nga Mehmeti II.

Pra, sado i tkurrur të jetë formimi i tij intelektual, sado i pavëmendshëm të ketë qenë si dëshmitar i mardhënies me Erdoganin, Edi Rama nuk mund të sillet sikur nuk e di se bedenat, rrethimet dhe lufrtrat e shekujve më parë përbëjnë brumin e me të ciliën partneri i tij strategjik, gatuan bukën e politikës së sotme. Neo-otmanizmi dhe shtrirja e influencës në trojet e dikurshme të perandorisë, janë në themel të saj.

Në emër të kësaj ideologjie lideri autoritar turk, vende si Shqipëria, dikur nën pushtimin osman, i quan pjesë të “kufijve të zemrës”. “Këto nuk janë botë të ndryshme, por copza të shpirtit tonë” thoshte ai në një fjalim në Bursa në 2016.

E pra, këtë janar, në Tiranë, Erdogan u soll fiks si padroni i këtyre kufijve imagjinarë. Pamjet që ne pamë, ishin ato të një vendi trishtueshmërisht vasal. Ceremonia tek Xhamia e Et’hem Beut, ku mbizotëronin flamujtë turq dhe banderolat në të njëjtën gjuhë, ku shqip fliste vetëm përkthyesi dhe jo prezantuesi, ku në podium shkruhej “arnautllëk”, ku lutjet u thanë në gjuhë të huaj nga një hoxhë i huaj, nuk janë parë kurrë më parë gjatë vizitës të ndonjë shtetari tjetër.

Erdogani dhe shpura e tij e kanë përdhosur për disa orë çdo lloj sovraniteti, pikërisht në sheshin që ironikisht mban emrin e heroit tonë kombëtar.

Në mënyrë përçmuese ai përjashtoi nga ceremonia e rikontruksionit të një xhamie, krerët e komunitetit musliman shqiptar që i etiketon si të kapur nga gylenistët. Pa pikë skrupulli ai kërcënoi edhe deputetët shqiptarë që duhet të dorëzonin këta terrorristë, të cilët bota demokratike refuzon ti njohë për të tillë.

Prapa gjithë këtij turpi, që e bën çdo qytetar me sado pak dinjitet, të neveritet nga vendi ku ka zgjedhur të jetojë, qëndron vetëm një njeri: Edi Rama. Eshtë ai që, në emër të bizneseve që ka me njerëzit e afërt të Raisit, apo si shpërblim për ndihmën ekektorale që ka marë, sot sillet si i vetmi mes udhëheqësve të ashtuquajtur pro perendimorë që njeh “fajtorët” e grushtit të shtetit dhe dorëzon gylenistët, në kundërshtim me ligjet e shtetit të vet.

Eshtë ai që pranon “kufijët e zemrës” të caktuar nga Erdogani dhe copëzat e shpirtit turk mbi botën tonë.

Pikërisht për të daravitur shijen e hidhur të këtij servilizmi të pështirë, kryeministri iu shmang thelbit të çështjes. Ai hyri në polemikë vetëm me atë pjesë tradicionalo-folkrorike që ishte prekur nga përkimi i vizitës së presidentit turk me datën e vdekjes së Sëkënderbeut. Këtë e bëri me qëllimin perfid për të fshehur turpin e vëtrtetë, atë të uljes së potureve përpara megalomanisë së Erdoganit. Sepse skandali i asaj që ndodhi në Tiranë në 17 janar, nuk ishte data e zgjedhur rastësisht, ose jo, nga “vëllai Taip” për të përçmuar Kastriotin, por qëllimi i dukshëm për të parakaluar këtu si pasardhës i sulltanëve.