NGA ALBERT VATAJ – TERENC PEPA, FOTOGRAFI QË FOKUSON SHPIRTSHËM HIRET E BUKURIVE TONA

Nga Albert Vataj

Ndoshta i kapluem prej shpërgenjve t’mallit për Shkodrën, i mbetun gjithnjë fëmij n’tamëlcimin e këtij dashtunimi, pohoj se fotografia e Terenc Pepës m’ka ba me i rrok mallshëm copëzat e thirrjes së kujtimeve. Fokusi i tij ndalet mbi Shkodër, mbi krejtkund shpërndahet hiri delikat dhe i ashpër i Veriut.


 

Kridhet thellë n’shpirtjet e saj ai fokus. E përshkon, e shpalon, si tue dasht me na kallzu, se kjo zonjë e rand, ende asht e hirshme si dikur motit. Hala ngucet tekave e dëshirimeve me e msheh andje dhe magji nan stolisje e kapërdisje.

Tankush ndër ne, e din fort mir’, se n’Shkodër u lind fotografia, njaty bani histori ky art, e bash në njat truall e trok zemre, andje dhe shpirtje, ajo, përkund njat tamël e gjak t’shtatit t’saj, që tue e vazhdu kyt traditë e mbajnë këtë qytet, si kryeqendër të forcës dhe energjisë së talentit.

N’kandvështrimin tem, si admirus i fotografisë, i t’bukurës, i asaj lande t’hyjshme, që i shndërron pasionet në vepra, mundem me than se, fotografi, Terenc Pepa, meriton me mbajt mbi vedi përgjegjësi krijuse, si vazhdues i një tradite lavdiplotë.

Pasioni asht e energjia e vetme, hyjnia e së cilës e ka stolisun botën me sublimitetin e aktit endës, si me një dritë t’shkëlqimtë, te ajo që ka pru fotografia e Terencit, tue ken, nji sy dhe fokus i Shkodrës dhe Veriut të Shqipnisë. Asht kjo përkatësi gjeografike, kjo larmi e shpërblimit të vet krijuesit, i cili ka ngas në një epje të papajtueshme fotografin, me fokusu gjithçka dhe me ken sy që s’lejon me shterru asnjë pikë prej kësaj ujëvare vendesh t’mrekullueshme.

Asht kjo magji, qi s’do të mundte t’vinte deri te andja jonë me njaq dritë e vezullim, me njaq gjithëpamësi e magjepsje, pa fokusin e këtij fotografi. Ai asht krejt qenia e tij qi përshkon lentet e thierzat, e bef tue u përfshi me kyt ansambël, të asaj qi mëton çasti i memorizuar në IMG.

Fotografia nuk asht thjesht nji shkrepje e nji aparati mbi një objektiv të çfarëdo, asht përjetësim shpirtnor i nji çasti, i cili mundet me mëtu vetëm prej njaty dhe nji herë të vetme. Fotografia, por ma shum’ se ajo, syni qi sheh thellsinë e nji përjetimi, vjen për me mbet plazmim n’eterin e nji ndijimi, qi na nguc n’mall e na n’dez n’përjetim, i cili mbruhet për me i mëku çashmërisë, çastin që e magjeps.

Nuk e di por kamera n’synin e një t’apasionumi, asht thjesht nji shkreptim vetëtime, asht ai moment i pakthyshëm që memorizohet për me mbet, behje dhe prehje, hir dhe mëtim, kujtesë dhe mall. Në çdo çast të vetëm asht bota krejt, e cila njashtu e fragmentume në nji blic, e pranon çastin si nji medaljon solemniteti.

Sod nuk asht e vështir me gjet t’apasionum t’fotografis, por fotograf munden me ken vetëm njata qi fokusojnë një plan, një objekt apo çfarëdo, duke ju bind shpirtit. Ti mundet me ken gjithkund, e me pa gjithçka, por duhet me ken i mbushun me dritë pasioni dhe ndijimi, me e fokusu çasti, njat qi asht një tharm mrekullimit, me t’cilin krijuesi na shpërblen.

Syri i fokusit të aparatit të Terenc Pepës na njeh; me vende, natyrë, panoramime, shkase të atypëratyshme, pulsime të gjallnisë së epjes, bukuria e të cilave, i ban ata copëza parajse në tokësoren tonë. Terenci njihet dhe është vlerësuar, për atë qi ai ka kërku dhe ka gjet te fotografia, te video, te ndalimi i kohës, në një vijueshmëri qi merr trajt emocionale.

Ai ka pas mirsinë me na prezantu me Shkodrën ton t’dashtun, gjithëpoaq me vende dhe mahnitje të bukurisë shqiptare, t’Veriut n’përgjithsi. Ai tue i pru krejt nga nji kand vetjak të atyshmen, nga një pamje ndryshe, na bahet se na shihena për spariherë me vende dhe bukuri, që edhe pse i njohim, ai i rilind, i ribën, i mbush me dritë dhe ngjyra, tue na mrekullu n’kët takim dehës.

Prekja që ai i ban momentit, përmes një shpërfaqja nan një ngjyrim të ri pamshmërie, ban qi e zakonshmja të stoliset me një thellësi drite, qi sheh njaq gjerë, e thella, sa na kurrë s’kena mujt, edhe n’se kena dasht. Pra, njat realitet të zakonshëm, Terenc Pepa e mbush me jashtëzakonshmeri, që i buron nga brenda, nga pasioni, nga dëshira për ta shndërruar fokusin në një sy gjithëpamës.

Nuk e teproj n’se pohoj mbi aftësinë që ky fotograf ka me i riba gjanat në thelbin e tyne, duke i ba magjepsëse, kjo si për fotot njashtu edhe për videot. Sepse kjo dehje e të bukurës, kalon përmes fokusit të tij, për me mujt me marrë nji fuqi shprehëse të denjë për adhurim.

Çfarë i shpëtoi penelit të piktorëve, e ka të pamundur t’i bishtnojnë syrit dhe fokusit sqimatar dhe qëmtues, kureshtar dhe kumtues, të Terenc Pepës.

Të gjithë krijuesit shkojnë në takim me përjetimin me syt e andjes, Terenci i shton këtyne edhe qiellin, vështrimin me syt e zogut dhe shpirtit, tue na pru pamje nga nalt, njaq t’bukura e t’magjishme.

Padyshim që ai është një vazhdues i denjë i traditës së fotografisë shkodrane. Edhe pse ende i ri, ai ka udhëtuar duke bërë një rrugë të mbushur me vepra të vlerta dhe një komunikim estetik përmes fotografisë ekselent.

***

Ndoshta do të duhej për CV, Terenc Pepa u lind në Shkodër më 8.10.1987. Asht diplomu në shkollën artistike “Prenke Jakova”, ku u ngjiz për t’u shndërru në një robërim, pasioni për fotografinë dhe teknologjine, duke fillu dhe bachelor në inxhinieri informatike. Ka 14 vite në Këshillin e Qarkut Shkodër, si specialist IT. Gjithashu me të njajten peshë dhe përgjegjësi ka përballu këtë angazhim edhe për “Colosseo Hotel”, “Hotel Golden Palace”.

Kamera e Terencit ka fokusu me të njëjten naltësi të përgjegjësisë dhe përkushtimit edhe nji prej fatkeqësive natyrore t’Shkodrës, qi ka mbet shënjim në CV-në e tij krijuese, bahet fjalë për përmbytjet e 2010-2011, punë e cila ka terheq vëmendjen e shume medieve, vendase dhe t’huja.

Gjithashu, Terenc Pepa asht i angazhum në televizion StarPlus, për 8 vite si IT. Por foto asht koha qi ai ia kushton pasionit, i cili i ka sjell edhe përfitime motivuse, me besu, e me ju kushtu këtij arti.

 

Ai asht shpërbly me vendin e Tretë në Ballkan dhe të Parin në Shqipëri, në kompeticionin, “Creative History Balkans Tour”, me foton e kalasë “Rozafa”, duke e promovuar atë.

Njikohësisht ka marrë vlerësim me vendit e Tretë në konkursin e fotografisë nga Banka Botërore. Ai këto trofe nuk i ruan si triumfe të punës dhe talentit të tij, por si meritë që ai ka përfitu për me promovu bukuritë, historinë, dhe vlerat turistike në tansi.

 

Ai ka në ambiciet e tij realizimi i nji projekti te fitum për video dhe foto promovuese për Veriun. Ky projekt mbështet nga Ministria e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Edhe pse derimtash të gjithë pajisjet për realizimin e fotove dhe videove, janë barrë për mundësitë e tij minimale financiare.

Ky asht në mënyrë shprehëse profili i fotografit dhe jo vetëm, i Terenc Pepës, të riut shkodran qi premton, si në multimedia ashtu edhe në teknologji, por për s’pari dhe për s’mbrami, ka me ken fotografia ajo që ka me e përfaqësu atë tash e gjithmonë.

 

Sepse asht pasioni për të bukurën, asht thirrja e shpirtit krijues tek ai, qi do ta robërojnë në magjepsjen e imazhit. Ne e kemi parë, e shohim dhe do të vijojmë ta përcjellim Shqipërinë tonë të begatë, Shkodrën tonë të mallit, Veriun e epikës dhe legjendave, përmes fotografise dhe videos së Terenc Pepës, si përmes thjerrave të një vezullimi ndijues.