Pata privilegjin të isha i dërguari special i gazetës “Zani i Malsisë”, në përcjelljen e një prej eventeve më emblematike të Malsisë, “Logu i Bjeshkëve”, kurorëzimit të së bukurës së dheut të bjeshkëve, “festën e traditës”, siç do ta quante në spotin promovues, bashkia Malësi e Madhe. Për zhvillimin e aktivitetit mbajta kontakt me Zv/kryetarin e kësaj bashkie, z. Sytki Ndecaj, i cili u treguat i gatshëm dhe dashamirës për gjithçka, rreth pjesëmarrjes dhe përcjelljes së këtij aktiviteti.
Më ofroi komoditetin e ndjekjes dhe zhvillimit të eventit, dhe në ndarje, (sipas zakonit) bëmë foto, edhe pse unë jam kundër, të cilën e postoi në profilin e tij në Facebook, me citimin si vijon: “Me gazetarin, publicistin, fotoreporterin e mikun tim, Albert Vataj, i cili ishte i pranishëm sot në “Logu i Bjeshkëve 2021”. Shpresoj që tek Alberti të kemi lënë përshtypje të mira në masat infrastrukturore dhe në krejt organizimin e këtij eventi etno-kulturorë tashmë me përmasa Kombëtare Shqiptare pasi ai ka edhe sensin e një kritiku dashamirës e çdo sugjerim do na vlejë në aktivitete të tjera në të ardhmen.”
Në përgjigje po kaq dashamirëse dhe konsiderim vlerësues, mora shkas dhe po i shkruaj se çfarë mendoj për aktivitetin “Logu i Bjeshkëve”, që ai të ishte në lartësinë e kohës dhe në atë çfarë meriton në vetvete vazhdimësia e kësaj traditë, sot, sot kur progresi na ka vënë përballë përgjegjësive, jo vetëm për të ruajtur traditat, por edhe për ta merituar të sotmen.
Miku im, Sytki Ndrecaj, Zv.Kryetar i Bashkisë, Malësi e Madhe, në fondament të zhvillimit të aktivitetit, nuk do të kisha gjë për të shënuar, por duke konsideruar dashamirëse ftesën tuaj për të mëtuar diçka, ose komentuar rreth mënyrës se si një sublimitet, trashëguar nga gjeneratat, të marrë maksimalen e konsiderimit tonë, lejomni të parashtroj diçka, gjithnjë në kontekstin dashamirës dhe mirëkuptues.
Malësinë e dua se jam malësor, Malësinë e dua se nëna ime, e shtrenjat dhe e shenjta si çdo nënë, ka jetuar në Aliaj të Kastratit, Malësinë e dua se më ka shpërblyer me miq dhe zemra, të cilat do të jetojnë me mua sa të jetoj unë. Rrjedhimisht më flet shpirti më shumë se mendja, dëgjoj zemrën dhe i përgjigjem ndjenjës.
Do të mendoja se ajo që do ta kthente më vlera të plota këtë festë të traditës, do të ishte pikë së pari dalja nga klishetë, shmangia e standardit arkaik të zhvillimit të aktivitetit, në funksion të koherencës, progresit dhe zhvillimit që ka marrë e tashmja.
Në kontekstin kohor dhe në mbrojtje me fanatizëm të konservatores, do të isha i mendimi rreth mundësisë së krijimit të një ansambli të tërë, që rrjedhon nga tradita malësore, me gjithë komponentët e saj, duke nisur nga; bujaria dhe mikpritja e pashoqe në të gjitha trevat shqiptare; kulinaria, e veçantë dhe natyrshmërisht e pasur në begati dhe servirje; për të vazhduar me promovimin e komponentëve etnografikë, ku veshja do të zinte vend prioritar; stolitë gjithashtu dhe shumë e shumë elementë të tjerë në funksion të pasurimit të kohëpaskohshëm të traditës dhe pozicionimin koherent të të gjithë elementëve përbërës.
Miku im, nuk është e thënë që aktiviteti të zhvillohet domosdoshmërisht në një orë të ditës, nën një diell përvëlues ferri dhe me temperatura ekstreme, thjeshtë duke tentuar të vijojmë verbërisht tua propozojmë njerëzve këtë mekanizmëm torture, vetëm e vetëm, se kështu qenka bërë përpara, dhe ne, ne kush jemi që ta ndryshojmë.
Ata që kanë patur mirësinë të bëhen pjesë e kësaj kremte, përvese të bëjnë ballë udhën e gjatë dhe të lodhshme, u duhet gjithashtu të ndeshen më atë që fare mirë mund të shmangët, nëse jo duke shtyrë orarin, duke ndërtuar çadra dhe strehëza, që festa të mbetet festive në të gjithë format shprehëse. Nuk do të kishte asgjë të keqe të zhvendosej eventi në një orë më të përshtatshme, për trajtuar afatin kalendarik të zhvillimit të aktivitetit. A mendoni se vajzat konkurruese, të cilave përveç peshës emocionale të garës dhe konkurrimit, u duhet të mbajnë edhe rreth 50 kilogramët e xhubletës që mbajnë veshur. Ndoshta gjerat kanë ndryshuar, po kaq sa dhe mesatarja e klimës, dhe ne kemi mbetur po ato, konservatorët e një tradite, pajtueshmërisht të dakordësuarm sepse kështu na volit, edhe pse thellë-thellë, të bëhej ndryshe do të ishte shumë herë më mirë. Siç janë edhe festa të tilla që zgjasin deri në mëngjes, pse të mos jetë edhe kjo, pavarësisht se në gjenezë të saj ka një përcjellje më standarde, më strikte dhe e cunguar nga komponentët përmbushës.
Zona do të përgatitej për këtë, biznesi gjithashtu, siç e bëjnë në Reç, më saktë siç e bënin. Do të trajtoheshin të gjithë komponentët e hershmërisë, së cilës i përket “Logu i Bjeshkëve”. Të promovoheshin, e pse jo, ndoshta përmes një monitori edhe vlera e traditës atdhetare e kësaj treve me vlera unikale në këtë prizëm, ku etnografia dhe xhubleta janë unikalitete dhe entitete të patëdyta dhe kushtueshmërisht universale, janë etiketë, janë markë.
Të ftoheshin dëshmitarë të gjallë të traditës së Logut, që tregojnë rreth përvojave të tyre për këtë “festë të traditës”, ku një vend të veçantë të kishte për fituesit e viteve, Mbretëreshat e Logut, të Bukurat e Dheut. Të ishin prezent me gjithë përgjegjësinë tyre profesionale, etnografë, studiues dhe historianë, të cilët me referimet dhe dëshmi, të hidhnin ditë mbi të fshehtat, kërcënimet dhe neglizhimet, që ka në udhëpërcjelljen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore, si të gjithë vlerat etnografike, edhe ajo malësore. Të promovohet zeja e riprodhimit të xhubletës, dhe jo vetëm, edhe e stolive, ku të tregohet për këtë zeje dhe për dialektikën shprehëse të simboleve që janë pjesë e ansamblit të veshjes malsore. Të ketë të ftuar që sjellin xhubletën më të vjetër malsore, e pse jo dhe përvojat e tyre. Tu bëhet më dije brezit të sotëm se cila është barra e krenarisë dhe përgjegjësisë që ata duhet të mbajnë, në ndërgjegje dhe në shopirt. Tu tregohet origjina e xhubletës, si erdhi dhe u shndërrua ajo në përcaktimin identitar njohës dhe promovues të malsisë.
Malësia si trevë e traditës së bujarisë, trimërisë, atdhetarisë dhe urtësisë, vlerave që e përfaqësojnë atë, duhet të shfrytëzojë këtë eveniment në funksion të njohjes dhe promovimit, qoftë edhe duke bërë një punë menaxhuese edhe për prezencën dhe përcjelljen e këtij eventi nga të huajt, që për hirë të së vërtetës, janë ata të parët, që e kanë bërë të përbotshme xhubletën, që e kanë lartësuar në të gjitha gjuhët, doket, zakonet dhe virtytet malësore.
Miku im, Sytki Ndrecaj, nuk jam i mendimit të bëhet një event sa për të kaluar radhën… erdhëm, bëmë çfarë duhej bërë dhe e përfunduam me sukses, duke zgjedhur një “më të mirën”, që sipas meje nuk ka lidhje vetëm me centimetrat e vajës, se sa ka lidhje edhe me vetë traditën, ku veshja, respektimi i çdo komponenti etnografik, të marrin rol parësor, pavarësisht standardit dhe modelit të trashëguar, të zhvillimit të këtij eventi, pavarësisht buxhetit, kapaciteteve që zotëron pushteti vendor përkatës.
Jo, miku im, të trajtohet një xhevahir i Malësisë, siç është “Logu i Bjeshkëve”, me hajt ta kryejmë këtë punë dhe të dalim matanë, jo. Një promovim kaq sublim i vlerave të Malësisë, nuk duhet dhe mund të kapërcehet me një gjë kalimtare, një orë e gjysmë, dy orë, apo…. Jo, është një histori, për tu treguar, është një traditë për t’ua trashëguar gjeneratave, është një vlerë që kërkon një taban të ri kohorë për të zënë rrënjë, për tu kultivuar. Çfarë bëjnë arbëreshët vit për vit për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë shpirtërore, për të mbijetuar në një vend të huaj, nën një trysni asgjësuese asimilimi kulturash dhe ndikimesh. Ata janë një shembull më unik i një sfide shumëshekullore, në funksion të ruajtjes së gjuhës, veshjes tradicionale, zakoneve, dokeve, krejtskrejti atë që ata i përfaqëson.
Logu i Bjeshkëve të jetë thelbi i një feste që ta tejkalojë cakun e së shkuarës dhe pragun e pritshmërisë së obligimit kalimtar, arkaizmave, mediokritetit, burokracisë dhe bartjeve.
Miku im, nuk duhet harruar se i përkasim një kohe tjetër, qasjeve të tjera, një algoritmi mahnitës zhvillimesh, dhe nuk duhet që vlera të trashëgimisë të katandisen në “hajt ta kryejmë këtë punë”, marrim dhjetë konkurrente, dhjetë këngëtare, dhjetë artistë, dhe një sebep për tu mbledhur, për të bërë rrëmujë dhe ngritur pluhur dhe për të lënë pas një kurorë dhe një kurorëzim fals, pa nerv, pa brendi, pa emocion, pa ëndrra.
Arkaikja është e shkuara që duhet tejkaluar miku im, pavarësisht dëshirave, kapaciteteve njerëzore dhe organizative dhe resurseve financiare. Festa e traditës duhet të jetë festë në tërësinë kuptimore dhe përjetuese të atyre që vijnë nga ana e anës, me zemrat e ndezura dhe me shpirtin e etur, me dëshurat e shpenguara dhe me pasionet e temperuara në ndjenjë. Atyre që janë prezent për të bërë homazh dhe nderim, për të shprehur mkirënjohje dhe velërsimin e trashëgimisë shpirtërore, të atyre që prehen të qetë në përjetësi, dhe atyre që rrojnë ende me ëndrrën e bukur të traditës, të së bukurës, të sublimes. Ne duhet tua dëshmojmë me vepër, që trashëgimia që të parët na lanë, të ketë vlerësimin e duhur, dhe ne ta meritojmë atë.
Miku im, do të më pëlqente të isha sërish në “Logun e Bjeshkëve”, të takoja ato njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë, të përcillja atë bukuri unike të malësores, të konsideroja privilegj përjetimin e një solemniteti të tillë shprehës vlerash shpirtërore dhe amanetesh që zgjohen nga përjetësia për të na treguar rrënjët dhe rrugën e virtytshme e dinjitoze të Malësisë.
Miku im, Sytki Ndrecaj, i kërkoj përulësisht, njerëzores suaj, autoritetit vendor dhe finikërisë malsore, të jetë mirëkuptues për sa më lart përcolla me përgjegjësi profesionale, me dashamirësi malsore dhe dëshirim përmirësimi të gjërave që bëjmë dhe që meritojmë të na përfaqësojnë. Mbi ne mund të mos rëndojë përgjegjësia për të ndryshuar gjërat, por ne kemi privilegjin të vëmë gjurmën tonë në udhën që na çon tek ajo që duam dhe dëshirojmë të jetë përfaqësim dhe krenari, për ne dhe brezat që do të vijnë.
Faleminderit
Me respekt, Albert Vataj /Publikuar në Facebook/