Nga Ahmet Zogu tek Edi Rama, cilat janë zonjat që “i bënë kokën” atyre që i quajmë “të mëdhenjtë” tanë…

Nga edukimi dhe rritja e një nëne sot, nesër shfaqet dukshëm produkti i saj, fëmija. Shqipëria doli nga pushtimi i stërgjatur otoman më shumë tribaliste sesa e emancipuar.

Familja, institucioni ku gatuhet ushqimi për stomakun dhe trurin, vazhdon edhe sot të ketë varësinë e pavarësisë së pjesëtarëve të saj.


Nëse një fëmijë shqiptar këshillat e babait i dëgjon me mendje, këshillat e nënës i dëgjon me mendje dhe zemër. Modeli shqiptar i prindërimit, veçanërisht roli i nënës nuk tjetërsohet kollaj.

Sadije Toptani, nëna e mbretit Ahmet Zogu ishte një grua e rrallë e ardhur nga një familje bejlerësh me tepër influencë në Shqipërinë e Mesme. Kishte ndikim të padiskutueshëm edhe gjatë kohës kur i biri Ahmet Zogu u bë president e më pas mbret i shqiptarëve.

Gjylo Hoxha, nëna e diktatorit komunist Enver Hoxha. “Dora e hekurt” në familjen e Enverit deri ditën që erdhi në pushtet. Pas vitit 1946 roli i saj në familjen Hoxha u zbeh, duke u zëvendësuar nga Nexhmija, gruaja e liderit komunist.

Sebie Alia, nëna e udhëheqësit Ramiz Alia. Muslimane tradicionale shkodrane e cila pati rolin vetëm të rritjes së tij dhe kurrë nuk u përzie në punët e të birit.

Sheqere Berisha, nëna e Sali Berishës. Shtëpiake e thjeshtë që kurrë nuk doli as nga mentaliteti i saj zakonor dhe as nga fshati Viçidol në Tropojë. Pa asnjë ndikim në karrierën e të birit.

Marie Nano, nëna e Fatos Nanos. Grua e rrallë dhe intelektuale. Elbasanllije e një dere të njohur me influencë në latimin akademik të të birit. Ndërroi jetë gjatë kohës kur ish kryeministri Nano ishte në burg.

Fiqret Meta, nëna e presidentit Ilir Meta. Mësuesja skraparllie pati ndikim edhe në formim, edhe në vendimarrjet e të birit deri ditën që Ilir Meta u martua. Paskësaj, marrëdhëniet e tij më të ëmën, ndryshuan.

Aneta Rama, nëna e kryeministrit Edi Rama. Mjeke në profesion, bashkëshortja e skulptorit të njohur Kristaq Rama. Nuk u ngatërrua kurrë në punët e djalit të saj të madh, sot kryeministër i vendit. /Nga Bledi MANE/

 ABCOM ║ VODAFONE