Nesër kalimi i “pushtetit” presidencial nga Meta tek Begaj, Presidenca publikon agjendën zyrtare të eventit

Presidenti Ilir Meta do të dorëzojë nesër detyrën në krye të shtetit, ku do të pasohet nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.

Ky i fundit, do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend. Më pas, në Presidencë, do të zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit nga Bajram Begajt.


Këshilltari i Presidentit Meta, Tedi Blushi ka zbardhur axhendën e kësaj ceremonie e cila pritet të fillojë që në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuar.

Postimi i Tedi Blushit:

Nesër, e dielë 24 korrik 2022, në ora 19:15, në Institucionin e Presidentit të Republikës, do të organizohet ceremonia e fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj.

Ceremonia sipas programit më poshtë, do të mbulohet me regji qendrore, dhe frekuencat satelitore për sinjalin do t’ju dërgohen nesër të gjitha mediave të interesuara.

PROGRAMI I CEREMONISË SË FILLIMIT TË DETYRËS NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SH.T.Z. BAJRAM BEGAJ

18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve

19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë

19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë

19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi

19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.

19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta

19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë

20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.