Gjatë ditës së sotme pritet të mblidhen ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bllokut, ku për Maqedoninë e Veriut po diskutohet nëse duhet përfshirë në konkluzione një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në tetor, ndërkohë që për Shqipërinë këto shanse duken shumë të pakta
Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin: “Ne po negociojmë sërish. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maqedoninë e Veriut që e meriton dritën jeshile, por është një sinjal për të gjithë rajonin. Nëse do të rifillojnë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, të dyja palët do tê kenë nevojë të shohin që investimi për gjetjen e një kompromisi politik midis dy vendeve shpërblehet. Përndryshe, ata nuk do kenë asnjë motivim për t’u angazhuar në bisedime. Ndaj të gjithë duhet të kuptojnë qartë rëndësinë e dhënies së një sinjali për një vend në interesin e të gjithë rajonit të Ballkanit”.
Ajo që u duk si një harresë e komisionerit Hahn lidhur me përmendjen e Shqipërisë, u përjashtua në përgjigjet në vijim. Komisioneri Hahn ka treguar qartë se ai synon dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, pa folur aspak për Shqipërinë.
Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin: “Nuk më pëlqen termi kompromis lidhur me vendimin në shtator. Ndoshta do më duhet ta pranoj se nuk do të jetë vendimi im. Qëndrimi im është që sa herë një vend përmbush kushtet, edhe ne duhet t’i përgjigjemi pozitivisht. Cdo shtyrje e vendimit krijon rrezik dhe nuk dua të krijoj rrezik kur nuk është e nevojshme”.
Gazetari: Cili është mesazhi juaj për Parisin dhe Hagën ?
Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin: “Mesazhi im për këdo është që të kuptojnë se situata rajonale ka nevojë për perspektivë tërësore. Një vend ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme për perspektivën evropiane dhe lidershipi i tyre ka treguar kurajo. Nëse kjo gjë nuk do të shpërblehet, ne nuk do të humbasim vetëm përgjegjshmërinë tonë, por edhe besueshmërinë, si edhe fuqinë tonë. Çdo gjë që kemi investuar me sukses në vitet e fundit do të rrezikohej nëse ne nuk i qëndrojmë besnik premtimeve tona”.
Komisioneri për Hahn do të jetë prezent nesër në 18 qershor gjatë diskutimit të ministrave të jashtëm mbi çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe aprovimit të konkluzioneve për paketën e zgjerimit. /ABC News/