Biseda me një mik që jeton në Itali prej 20 vitesh më bëri të kujtohem për 28 Nëntorin. Brezi im e lart por edhe pak më të rinj se unë, e kujtojnë këtë ditë të paludhur pazgjidhshmërisht me atë pasardhëse. Por ishte kohë tjetër. Sot çdokush është i lirë ti festojë njërën, tjetrën, të dyja apo asnjërën.
Lidhja vonoi të bëhej dhe pyetja e parë për jetesën, punën, atë afërmit atje dhe këtu. “Blert, punë m*uti këtu. Punojmë për nji pjatë makarona duke shpresu për nji të ardhme ma të mirë se atje. Prej nade deri në darkë në punë, burrë e gru dhe paret na i merr qiraja e shpisë, uji, dritat, gazi… Shumë pak mbet me kursy, sa për nji muj pushime në verë. Këtu punë m*uti, po atje asht m*t e shu*ë Blert, ça shohim nëper televizione. Edhe këtu jena mërzitë, por edhe atje ku mu mbyt…punë s’ka, çmimet ma shtrenjtë se në Itali, shpijat me dashtë me i ble kushtojnë ma shumë se në Milano. E duhet me pas kujdes edhe kryet…”.
Me zor i ktheva dy përgjigje të tipit “po”, “jo”. Po mendoja me i përmend 28 Nëntorin. Por nuk guxova. M’u duk gomarllëk. Që të festosh, duhet të jesh i qetë, t’i kesh të zgjidhura disa halle elementare. Pavarësisht nëse je jashtë apo brenda territorit të festës.
Mbylla bisedën e vetiu truri nisi të bëjë pyetje të çuditshme. Çfarë është 28 Nëntori? Domethënia që ka patur apo ka sot? Është festë, duhet të jetë festë apo na thonë se është festë? Deri në ç’pikë ligjërohet krenaria e të qënit shqiptar? Në cilin vit ndalohet? Më shumë jemi krenaro- nacionalistë ne këtu apo shqiptarët jashtë territoreve tona?
Nëse mund të diskutojmë për shtetformim, pas Skenderbeut 28 Nëntori 1912 na bën të ndjehemi krenarë sepse nisëm t’i largohemi “sqetullës” së pushtuesit që, edhe pse na konsideronte “bashkëqeverisës” me vezirë e valinj, kishte mbyllur të gjitha shkollat e shqipes aty ku kishte pushtuar. Flas simbolikisht, sepse për të folur për shtetformin të mirëfilltë, edhe pse jo në standartet e vendeve të Europës së kohës, duhet të presim (sipas meje) monarkinë e A.Zogut. Por edhe nga 1912 deri në 1939 kur zyrtarisht Shqipëria ra nën thundrën italo- gjermane, nuk kemi një histori për tu ndjerë krenarë në mes vedit. Sepse në Europë, që pas Skenderbeut, nuk kemi shënjuar pozitivisht. Historia rrëfen për ngjarje të rënda, komplote, grushte shteti, plagosje, vrasje me ngjyrim politik. E pas 5 viteve e gjysëm pushtim, u futëm gradualisht në një diktaturë (opinioni im) që tjetërsoi edhe atë pak gjë të mirë që kishte mbetur nga 1912-a. Persekutimi, përndjekja, spiunllëku, internimet, plagosjet, varrosjet i kryente shteti. Madje, mbështetur në ligje e Kushtetutë.
E në kapërcyell të 1990-ës mbërritëm të drobitur. E dinim që jemi shqiptarë, madje shpreheshim edhe krenarë, por për çfarë?! Për çfarë mund të krenoheshim dhe krenohemi, po të doni, edhe pas këtyre 30 viteve?! Për të mos thënë asgjë, shumë pak!
E keni vënë re, krenaria jonë ka bazën tek e shkuara. Krenohemi për Skenderbeu, deri diku për arritjet shtetformuese të monarkisë, për hidrocentralet e komunizmit dhe…kaq. Nuk ecim dot më tej. Do të më përmendi Nënë Terezën apo edhe atë Muratin e çmimit “Nobël”, por nuk mendoj se kemi ndonjë meritë si komb në këto dy raste… Edhe një krenari “e vockël” si Kombëtarja në Europian, na duket si mirazh me ato që po shohim sot. E kanë kaluar vetëm dy vite e pak.
Do të dëshiroja të rreshtoja diçka pozitive këto 30 vite. Diçka që na bën krenarë edhe përtej kufnjëve. Çfarë kemi arritur, çfarë kemi merituar, nëse do të flasim edhe për rrugëtimin në Europë? Në NATO dhe “lëvizjen e lirë” na e dhuruan, nuk e merituam. Besoj se kështu do të jetë edhe për integrimin në BE, nëse do i’a arrijmë ndonjëherë. Ta gjykosh mirë, edhe “lëvizjes së lirë” po i’a shohim sherrin. Vendi po boshatiset me shpejtësi, shifra 250 mijë e të larguarve në pak vite, është e frikshme.
Të jesh nacionalist sot, është në modë. Sidomos në shkallët e ndonjë stadiumi apo në ndonjë koncert a mbrëmje ku këndohet “Xhamadani”. Por vetëm kaq. Flas për ne brenda kufijve. E prap më kujtohet miku im në Itali. Do të qeshë nëse do të ketë kohë e mundësi të ulet në kompjuter e të lexojë fjalët e tij në këtë tekst. Ai muaj për muaj, ndihmon prindërit dhe të afërmit e tij në Shqipëri. Flas financiarisht, por jo vetëm. Edhe i mban me gajret, si i themi ne. U jep shprese për sot e për nesër, “ma mirë do bahet” i’u thotë. Si miku im, janë qidra mijëra fatmirësisht. Falë tyre Shqipëria nuk ka rrëshqitur më shumë se kaq. Në drejtim të skamjes, varfërisë. Në verë ishte në vendlindje, në Shkodër. Kur erdhi kishte mall. Por pa kaluar një javë, u mërzit. Sepse u përball me realitetin tonë të përditshëm. Megjithatë, me një mik të tijin që i kritikonte Shkodrën e Shqipërinë, u kacafyt me fjalë. Me mend, përpija gaz por nuk guxoja ta nxirrja me zë nga goja.
Më falni, por ata janë Shkodra, Shqipëria, atdheu! Gëzuar 28 Nëntorin miku im! Nuk ta thashë dot sot me telefon, por po ta shkruaj. E përmes teje, uroj të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen jashtë kësaj toke të bekuar por me fëmijë të nëmur në emigracion. E di që në çdo familje flamuri nuk mungon, në mur, tavolinë apo i gdhendur. Sepse Shqipëria jeton te ju, me ju, atje ku ju jeni! Gëzuar Pavarësinë! Të 1912-ës! /Nga Blerti DELIJA/