Armand Duka flet pas shpërthimit të një lënde plasëse në sasi të vogël te dera e jashtme e vilës së tij. Duka tha se i kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë.
“Nuk kam mundësi të bëj deklaratë tani. E ka dëgjuar gjithë Durrësi që më kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë. Në shtëpi kanë qenë familja, gruaja, djali. Fatmirësisht nuk kanë mbetur të lënduar.
Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, porta ka dalë jashtë përdorimit. Kemi pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi ku hapet dhe mbyllet porta”, tha Duka.
Mësohet se presidenti i FSHF është shantazhuar ditët e fundit i kërkohet që të japë dorëheqje dhe të mos rikandidojë në zgjedhjet e 2 marsit.
Pjesë nga prononcimi i Armand Dukës për mediat
Duka: Nuk kam mundësi me dhënë deklarata. Jam shokuar. Nuk e kam idenë. E ka dëgjuar gjithë Durrësi më kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë.
Pyetje: Kush ka qenë në banesë?
Duka: Familja ime, djali, gruaja. Uroj të jetë rastësi.
Pyetje: A ka dëmtime në njerëz?
Duka: Jo nuk kemi dëmtime, porta është larg nga banesa por shpërthimi është i madh. I kam filmimet. Duket një njeri me kapuc që është afruar te porta dhe ka vendosur dinamitin te mekanizmi i hapjes. Këto hetues janë të gjithë të aftë dhe maksimumi deri nesër do t’ju bëjnë të ditur se kush është.