Në Shqipëri i rrahin ose i burgosin, 2 mijë infermierë lanë Shqipërinë për Gjermaninë 6 muajt e parë të vitit

Këto dy vitet e fundit, bluzat e bardha të diplomuar në vendin tonë, po largohen masivisht drejt Gjermanisë. Vetëm në 6 muajt e parë të 2018-ës, janë larguar plot 2 mijë infermierë. Ndërkohë pritet që deri në fund të këtij viti, të kenë nënshkruar kontratat e punës me shtetin gjerman edhe 4 mijë të tjerë. Shifrat alarmante zbardhen nga kreu I Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj. Ky I fundit thekson se pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës janë arsyet kryesore të largimit të punonjësve të shëndetësisë.

“Gjashtë mujorin e parë ka pasur mbi 2 mijë infermierë që kanë ikur dhe nga qershori deri në fund të këtij viti llogaritet që janë rreth 4 mijë infermierë që do të largohen. Pra është një numër që vazhdon e rritet çdo ditë. Gjëja kryesore është paga e ulët që infermierët kanë në vendin tonë, një pagë rreth 350 mijë lekë të vjetra. Infermierët bëjnë punën e dy apo tre personave që janë larguar dhe vendet e tyre nuk zëvendësohen. Higjiena është një nga burimet e infeksionit që rrezikon jetën e infermierëve, janë të ekspozuar ndaj infeksioneve të ndryshme”,-thekson Jaçaj.

Jo në pak raste punonjësit e shëndetësisë janë përballur edhe me dhunën nga ana e familjarëve të pacientëve.

“Në fakt më të dhunuar janë infermierët që punojnë nëpër urgjenca sepse është kontakti I parë me pacientin. Dihet që ata vijnë të nervozuar e shpeshherë pacientët vijnë të shoqëruar edhe nga shumë familjarë të cilët duan secili të sqarohet dhe duan shërbim direkt, ndërkohë që ne e dimë që ka një fluks të rritur kohët e fundit në shërbimet e urgjencave”,-tregon infermieri.

Një tjetër arsye që I detyron bluzat e bardha të largohen nga vendi, është edhe pamundësia për të gjetur një punë.

“Kam kërkuar punë në shtet sapo mbarova shkollën por konkurrenca është shumë e lartë dhe janë dhe shumë gjëra të tjera që na pengojnë për tu future në punë me forcat tona. Shyqyr që na u dha mundësia, për të ikur në Gjermani dhe rrogat, jetesa e çdo gjë tjetër, mua më duket më mirë sesa këtu”,-thotë për Neës 24 një prej infermiereve që do të largohet në Gjermani.

Pas kërkesave të shumta për punonjës shëndetësie në Gjermani, shqiptarët e diplomuar në programet e mjekësisë, iu janë drejtuar kurseve të gjuhës gjermane. Ata e shohin këtë shtet si një mundësi shumë të mirë për tu rritur profesionalisht.

“Prej gati një viti ndjek kursin e gjuhës gjermane dhe mora një përgjigje pozitive nga ambasada gjermane për vizë pune si teknike imazherie në një klinikë universitare në Këln të Gjermanisë. Besoj se është një eksperiencë shumë e mirë për të gjithë ne që kemi mbaruar studimet këtu dhe duam të rritemi profesionalisht andej. Në vetëm një vit, dhe gati 40 teknikë imazherie janë larguar”,-tregon teknikja e imazherisë, Sidorela.

Kjo kategori profesionistësh po largohet nga Shqipëria, për një të ardhme më të mirë, me paga e standarte më të larta.