“Në mbrojtje të pluralizmit politik, për një opozitë të bashkuar”, përfaqësues të “Dhjetor ‘90” takohen me Berishën

Sot në mesditë me një përfaqësi të Grupimit “DHJETOR 90” u takuam me Dr. Berishën në një bashkëbisedim të hapur dhe shumë të sinqertë. Folëm për shumëçka, thuajse për të gjitha. Për të shkuarën e themeleve të pluralizmit dhe lindjen e Partisë Demokratike.

Për ringritjen e kësaj partie pas vitit të zi 1997, për opozitën e atyre viteve dhe qeverisjen e saj.
Për kënetën ku është zhytur opozita sot dhe për të ardhmen e saj. Folën hapur pothuaj të gjithë sa ishin në këtë takim dhe kryefjalë ishte angazhimi ynë i sinqertë dhe pa kompromis në mbrojtje të pluralizmit politik në Shqipëri.


Ringritja dhe rikthimi i demokracisë së brendëshme në partinë që themeluam në Dhjetor të ’90-ës.
Bashkimi i të gjithë demokratëve dhe kontributeve të tyre në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ringjallja e shpresës dhe besimit se të jetosh në Shqipëri jo vetëm është nder por edhe ja vlen. Konkluzioni i këtij takimi ishte:

Ne që shembëm diktaturën më të egër komuniste të europës do të bëjmë çdo përpjekje të mundëshme njerëzore që ta mbrojmë pluralizmin politik në vend dhe ti rikthejmë dinjitetin e humbur opozitës shqiptare.