Partia Demokratike do të mbledhë në 15 dhjetor Kuvendin Kombëtar të saj për të përmbyllur procesin e saj të organizimit. Vendimi është marrë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas mbledhjeve të zhvilluara me kryesinë e PD-së.
Përmes një urdhri të brendshëm, Basha ka urdhëruar që këtë fundjavë, në të gjithë vendin, PD të zhvillojë zgjedhjet për kryetarët e degëve në mënyrë që një muaj më pas secili prej të zgjedhurve të ketë të drejtë vote në Kuvendin e PD-së.
Sipas burimeve nga PD, pjesa më e madhe e të deleguarve për procesin e ristrukturimit kanë depozituar në selinë blu propozimet për kryetarët e degëve, ndërkohë që ditën e shtunë dhe të diel do të zhvillohen zgjedhjet e brendshme. Pas zgjedhjes së drejtuesve në seksione dhe grupseksione, përzgjedhja e drejtuesve të rinj të degëve do t’i hapë rrugë krijimit të ekipit të ri të PD-së, që do të jetë në krah të Bashës për t’u kërkuar shqiptarëve votën në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato parlamentare.
Mandati i Kuvendit Kombëtar të PD-së ka mbaruar në shtator të këtij viti, ndërkohë që në fund të këtij muaj skadon edhe mandati i dy nënkryetarëve, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani. Kuvendi Kombëtar i PD-së që do të zhvillohet në 15 dhjetor, do të jetë zgjedhor dhe në të do të votohen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Do jenë anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të PD-së, ata që me votën e tyre do të përcaktojnë sekretarin e ri të PD-së, nënkryetarin dhe kryesinë e re të demokratëve. Por vendimmarrja për të organizuar zgjedhje të brendshme në parti nuk ka kaluar me një dakordësi të plotë në kryesinë e PD-së.
DEBATET
Burime nga selia blu sqarojnë se gjatë mbledhjeve të zhvilluara këtë fundjavë, një pjesë e deputetëve demokratë janë shprehur kundër zhvillimit të këtij procesi përpara zgjedhjeve vendore. Sipas të njëjtave burime, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, deputetët Aldo Bumçi, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi kanë folur për një efekt boomerang që mund të ketë një proces i brendshëm zgjedhor në një kohë që vetëm tetë muaj më vonë do të jemi përballë zgjedhjeve vendore.
Duke e mbështetur riorganizimin e partisë, deputetët dhe ish-ministrat demokratë kanë listuar risqet për krijimin e pakënaqësive që mund të sjellin zgjedhjet e brendshme në këtë moment. Përballë këtyre zërave kanë qenë zëdhënësja e Grupit të PD-së, Grida Duma, Sekretari i Grupit të PD-së, Ervin Salianji dhe nënkryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Këta të fundit e kanë cilësuar të domosdoshëm përfundimin e riorganizimit të brendshëm në PD për të dalë përballë shqiptarëve me ekipin e ri dhe për t’i dhënë fund çdo aludimi për mungesën e zgjedhjeve në PD. /Nga Juxhin MUSTAFARAJ/