
Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Shkodra në syrin e arkitektëve më të mirë të vendit. Sot pata kënaqësinë të prisja në një takim drejtoreshën e AZHT-së, znj. Adelajda Roka, drejtoreshën e AKPT-së, znj. Adelina Greca, si dhe disa nga arkitektët dhe urbanistët më të mirë të vendit.
Në fokus të takimit ishte zhvillimi urban i Shkodrës. Vizituam nga afër disa prej investimeve aktuale dhe diskutuam mbi pikat kyçe të qytetit, për të cilat Bashkia Shkodër ka projekte konkrete për zhvillimin e tyre.
Sheshet publike, parqet e lojërave, hyrjet e shkollave, kryqëzimet kryesore dhe nyjet e rrjetit të biçikletave, pedonalja e Velipojës, si dhe një sërë projektesh të tjera që e vendosin Shkodrën si kryeqendër të veriut, ishin pjesë e diskutimeve dhe inspektimeve në terren.
Gjithashtu u vunë në pah edhe ndërhyrjet urbanistike të 20 viteve të fundit, që kanë zënë hapësira të rëndësishme dhe që do të kthehen funksionale në shërbim të qytetit dhe komunitetit.




