
Shkruan në Facebook deputeti i PS- së për Shkodrën, Onid Bejleri: Nuk është hera e parë që me dëshirën për të “bërë lajm”, i jepet hapësirë thashethemeve, pa asnjë verifiikim të fakteve. Një personazh, që kam frikë se nuk përfaqëson asgjë, veç vetes dhe dëshirës për të dalë në tv, foli për mbyllje të 18 bizneseve në Shkodër vitin e kaluar dhe 2,500 bizneseve vitet e fundit.
Më e trishtë është fakti që ky argument tentohet me aq sa zë vend edhe nga nga ish- kryetari i Bashkisë së Shkodrës, që fliste për mbyllje tarabash nëpër rrugica e nuk e di se për çfarë çudish të tjera.
Duke qënë të vërtetë në shifra dhe fakte grafiku më poshtë tregon numrin e bizneseve të regjistruar me burim zyrën e taksave të Bashkisë. Vetëm gjatë vitit 2025 numri i bizneseve në Shkodër është rritur me 314 njësi, ndërkohë që në dy vitet e fundit kemi 600 biznese më shumë.
Kemi filluar një rimëkëmbje ekonomike me hapa të vegjël, por të sigurtë. Do vazhdojmë të punojmë fort, që të marrim një kthesë të madhe drejt rimëkëmbjes së Shkodrës në të gjitha dimensionet. Shkodra po ecën përpara pozitivisht e nuk ka me kor ndjellakeqësh, e as megafonë për ta, që ta mbajë peng.

Ndërkohë, deputeti i PD- së Shkodër, Bardh Spahia, ish- kryebashkiak, shkruante: Zhurma e qepenave që mbyllen mbyt zhurmën e pushtetit grabitqar.
Nuk ka zhurmë më të dhimbshme sot në rrugicat e Shkodrës sesa zhurma e metalit të ftohtë të qepenave që ulen përgjithmonë. Mbi 2500 biznese janë mbyllur përgjithmonë në Shkodër gjatë viteve të fundit. Çdo biznes që mbyllet nuk është thjesht një statistikë. Është një derë shtëpie që kyçet, një ëndërr familjare që vritet dhe një biletë avioni pa kthim. Kjo që po ndodh me biznesin e vogël dhe të mesëm në Shkodër nuk është “krizë tregu”. Ky është një dëbim i orkestruar.
Pushteti, qëndror dhe lokal, është kthyer në kamzhikun më të dhimbshëm të tregtarit. Rrisni taksat, shpikni tarifa, por çfarë ofroni? Asgjë.
Ju i merrni frymën biznesit të ndershëm për të mbushur arkat që i zbrazni me korrupsion, ndërsa qytetarin e lini vetëm përballë mbijetesës.
Të bësh biznes me ndershmëri në Shkodër sot është kthyer në një akt heroizmi gati vetëvrasës. Bizneset janë lënë në mëshirë të fatit, të shtrydhur nga abuzimi i zyrtarëve me vulë shteti e blloqe gjobash ditën, dhe nga presioni i krimit që lulëzon nën hundën e pushtetit natën.
Realiteti i dhimbshëm i tregtarëve në Shkodër nuk lyhet dot me ngjyra dritash që verbojnë mendjet e lehta.
Dritat e festave nuk e mbulojnë dot errësirën e varfërisë.
Koncertet në pedonale nuk e mbytin dot zhurmën e qepenave që mbyllen.
Kjo fasadë është fyerja më e madhe për inteligjencën e shkodranëve. Shkodra nuk është mbajtur kurrë me propagandë Instagrami, por me ndershmëri, liri ekonomike dhe siguri.
Shkodra po humbet ajkën e saj.
Po ikin njerëzit e punës.
Po ikin të ndershmit që nuk duan të bëjnë pis duart e tyre në xhepat e të tjerëve. Por, mos harroni, Shkodra u ka mbijetuar shumë pushtuesve e tiranëve, dhe do ti mbijetojë edhe kësaj babëzie administrative.
Sot, heshtja nuk është opsion. Të mbrojmë biznesin e tregtarëve të ndershëm do të thotë të mbrojmë dinjitetin e qytetit dhe të ardhmen që Shkodra meriton, larg pangopjes së atyre që mbijetojnë si shushunja nga gjaku i të ndershëmve.




