
Opozita e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, të paktën për sa kohë të jetë kryeministër Edi Rama. Por kjo nuk e pengon shefin e qeverisë të vazhdojë fushatën e pashpallur elektorale në shumë bashki të vendit, sikur situata të jetë normale. Por nga ana tjetër, përmes “levave qeveritare”, vazhdon të ushtrohet presion ndaj atyre kryebashkiakëve që aktualisht janë përfaqësues të PD-së në qeverisjen vendore. Rasti më i fundit, ai i Bashkisë së Kavajës dhe kryetarit të saj Isa Sakja.
Mësohet se IKMT- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. “Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet per shpërdorim të detyrës”- njofton IKMT.
Sipas inspektoriatit, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.
Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e sipërcituar, duke vepruar apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.
“IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve”- perfundon njoftimi.