Ndodh edhe kështu. Sepse jemi në Shqipëri. Ka një javë që është mësuar se nuk do të kandidojë më për kryebashkiak. Është përfaqësues i shumëpërfolur i mazhorancës aktuale qeverisëse për dosjen e famshme “339”. Deri më sot, mohohej gjithçka por papritur gjërat ndryshojnë këtë të shtunë, edhe pse “lajmi” ka ndodhur dy ditë më parë.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur ditën e enjte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është pyetur në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.
Mësohet se kryebashkiaku i Durrësit është pyetur nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi në cilësinë e personit që ka dijeni, nga ora 15.00 deri në orë 20.00.
Ndërsa hetimet janë mjaft sekrete, e për këtë nuk bëhen të ditura detaje nga dëshmia e tij.
Emri i tij për vjedhje të votave në zgjedhjet e vitit 2017, doli pas disa përgjimeve telefonike për operacionin “Vol-Vo 4”, ku Dako u akuzua se ka folur me anëtarë të bandës së Avdylajve në Shijak.