
Për 15 ditë, ish- gjyqtari i Apelit të Tiranës do të rikthehet në liri. Pozicioni i tij përballë drejtësisë shqiptare ka ardhur duke u lehtësuar, për herë të fundit nga ish- kolegët e tij të Apelit tek të “Rëndat”. Sipas vendimit, përfundimisht, Miri dënohet me 3 vite heqje lirie dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht me 2 vite. Nga përllogaritja e bërë, i ngelen vetëm më pak se 15 ditë në qeli. Koha e qëndrimit pas hekurave gjatë proceseve gjyqësore, vlerësohet me një fish e gjysëm nga koha e burgut pas vendimit të formës së prerë.
Gjykata Apelit për Krime të Rënda la në fuqi vendimin e fajësisë për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri, ndërsa e ndryshoi atë në masën e dënimit. Ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës u akuzua për korrupsion, pasi i ndryshoi veprën penale një të dënuari për vrasje. Sipas Prokurorisë, në këmbim, gjyqtari Miri kishte marrë 30 mijë Euro. Ai u arrestua në nëntor të 2017. Për shkak të periudhës së paraburgimit, ish-gjyqtari pritet të lërë qelinë për pak ditë.