U zhvilluan ditën e sotme, takimet e tjera në fazën e grupeve të Champions League, për grupet A, B, C dhe D. Juventusi e nisi aventurën në Champions, me një barazim në transfertë, 2-2 përballë Atletikos së Madridit. Pjesa e parë u mbyll pa gola në Madrid, dhe pothuajse e ekuilibruar. Në të dytën, ekipi i Sarrit provoi më shumë, dhe zhbllokoi shifrat me një gol fantastik të Kuadrados në minutën e 48-të.
Pak minuta më vonë, në të 65-tën, një sulm i shpejtë i bardhezinjve, prodhoi një krosim fantastik nga Aleks Sandro, dhe Matuidi me kokë nga brenda zone, çoi në 0-2 shifrat.
Por, gjithsesi, vendasit nuk u dorëzuan, dhe ia dolën të barazojnë. Në minutën e 70-të, ishte Saviç që pas një goditje dënimi, u gjend i pambuluar në zonë dhe ngushtoi shifrat. Ekipi i Simeones vijoi që të sulmojë, dhe vetëm në minutën e 90-të, në një goditje këndi, ishte Hektor Herrera që me kokë mposhti në cepin tjetër Sheznin, dhe barazoi shifrat.
Në fund, të dyja ekipet ndanë nga një pikë në takimin e parë në grup. Ndeshja tjetër e këtij grupi, u fitua me shifrat 1-2 nga Lokomotiva e Moskës në transfertë, përballë Bajer Leverkusenit.
Supersfida tjetër e mbrëmjes, isthe ajo mes PSG dhe Realit të Madridit, por vendasit fituan pastër me rezultatin 3-0. Dopieta e Di Marias në pjesën e parë, dhe goli i Munier në të 91-tën, hodhën në tapet ekipin e Zidan. Një gol e shënoi edhe Garet Bejl, por uellsianit iu anulua me VAR, për prekje të topit me dorë gjatë aksionit.
Bajerni i Mynihut mori një fitore të thjeshtë, me shifrat 3-0 në “Alianz Arena”, përballë Crvena Zvzdës. Takimi u dominua totalisht nga bavarezët, ndërsa golat u shënuan nga Koman, Levandovski dhe Myler. Mançester Siti e nisi me këmbën e mbarë aventurën në Europë, teksa fitoi pastër me shfirat 0-3 ndaj Shaktar Donjetsk. Golat për ekipin e Guardiolës u shënuan nga Mahrez, Gyndogan dhe Gabriel Zhezus.
Takimi tjetër i këtij grupi, pa Dinamon e Zagrebit të fitojë pastër në shtëpi përballë Atalantës, me shifrat 4-0. Për italianët, titullar ishte Berat Gjimshiti, por 4 golat e pësuar tregojnë mungesën e eksperiencës në Europë.