Gjyqtarja Fildez Hafizi u vra më 31 gusht 2017 nga ish-bashkëshorti i saj. 39-vjeçarja u qëllua me 2 plumba pistolete brenda makinë së saj nga Fadil Kasemi. Ky duket se ishte fundi i një kronike të paralajmëruar, pasi kërcënimet ndaj saj kishin qenë të vazhduara. Shkak për këtë situatë ishte divorci mes Hafizit dhe Kasemit.
Edhe pse kishte marrë një urdhër mbrojtje, gjyqtarja merrte kërcënime nga të vazhdueshme nga ish-bashkëshorti. Por duket se saga fatkeqe e familjes së gjyqtares së ndjerë nuk mbaroj me kaq. Për shkak të ngërçit me reformën në drejtësi, nuk është shqyrtuar ende çështja e Fadil Kasemit.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në 31 gusht 2018, atëherë Kasemi mund të lirohet, pasi përfundojnë afatet e paraburgimit. Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, gazetarja Klodiana Lala tha se familjarët e Fildez Hafizi thonë se atë po e vrasin për herë të dytë, duke mos i dhënë dënimin e merituar autorit të vrasjes.
“Motra e Fildezit më tha një gjë që dua ta transmetoj në emër të saj. Më tha se “nuk do të gjej dot drejtësi derisa vrasësi i sime motre të dënohet. Nuk dua që nëna dhe babai im të ikin nga kjo botë pa parë dënimin e vrasësit të vajzës së tyre”. Por babai i saj ndërroi jetë një ditë më parë.Pyetja që unë ngre si gazetare është se çfarë solli kjo reforma në drejtësi, dhe a është kjo drejtësia që duam”, u shpreh gazetarja Lala.