
Është ndarë nga jeta Ruzhdi Duli, specialist bujqësie dhe për dis vite kryetar i PS- së Malësi e Madhe. Lajmin e trishtë e ka dhënë kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, përmes një publikimi në Facebook.
“Pas një sëmundje të rëndë e të shpejtë pushoi së rrahuri zemra e qytetarit, familjarit, intelektualit e politikanit malësor të ndjerit Ruzhdi Duli.
Ai ka spikatur: si specialist bujqësie duke punuar e drejtuar sektorë me peshë në rethin tonë; si intelektual ku ndër të parët që nga viti 1991 kërkoi ndarjen e Malësisë së Madhe si reth më vehte nga Shkodra e ku me preokupim insistonte që gjitha institucionet të instaloheshin këtu; si politikan i pakompromis e me kompetencë drejtoi vite me radhë Partinë Socialiste në Malësinë e Madhe; si qytetarë që më zërin e tij kumbues i dilte me kurajo çdo padrejtësie e në interesë të bashkëqytetarëve të vet.
Ruzhdi Duli ishte ndër miqtë e mi me të cilin sundonte gjithmonë fryma e bashkëpunimit për të mirën e gjithë komunitetit në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe. Sot të ndjerin Duli e përcollëm për në banesën e fundit por ai do mbetët kurdoherë mes nesh po ai njeriu energjik dhe i kudondodhur.
Familjes e të afërmëve, miqve e kolegëve u shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje të parakohshme të tij. U prehsh në paqe miku ynë i paharruar Ruzhdi Duli.”, shkruan kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmëve, miqve dhe të njohurve të të ndjerit Ruzhdi Duli.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!